Zv.ministri Jaupllari në një takim me organizatorët e FAO-s për realizimin e një laboratori biologjik për të ruajtur gështenjat e Tropojës - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 06/03/2024

Zv.ministri Jaupllari në një takim me organizatorët e FAO-s për realizimin e një laboratori biologjik për të ruajtur gështenjat e Tropojës

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) organizuan takimin e parë të grupit teknik për planin e kontrollit biologjik për të mbrojtur gështenjat e Tropojës.

Kërcënimet e paraqitura nga infektimet e dëmtuesit Grerëza aziatike i njohur shkencërisht si Dryocosmus kuriphilus, paraqet një rrezik të konsiderueshëm për pemët e gështenjës, duke reduktuar prodhimin e frutave deri në 80%. Megjithatë, një zgjidhje biologjike e aplikuar gjërësisht në BE përfshin përdorimin e grerëzave parazitoide si Torymus sinensis për të kontrolluar dëmtuesin.

FAO, përmes programit të saj global “Një vend një produkt prioritar”, po zbaton një projekt ku ndër të tjera ka zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për të monitoruar grerëzën aziatike të gështenjës, përgatitjen e planit të kontrollit biologjik dhe ndërtimin e kapaciteteve për strukturat që do merren me zbatimin e planit.

FAO në bashkëpunim me MBZHR parashikon krijimin e një laboratori ne terren për ruajtjen, rritjen dhe lëshimin e Torymus sinensis në zonat e prekura nga dëmtuesi i gështenjës në Tropojë dhe në vazhdim parashikon që këtë eksperiencë ta aplikoje edhe në zona të tjera të Shqipërisë .
Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Arian Jaupllari dhe zv.Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Almira Xhembullal falenderuan FAO-n për mbështetjen që po i jep qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj per zhvillimin e zinxhireve të qëndrueshëm te vleres se gështenjës ne zonat malore.