Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte sot në Peqin ku inspektoi punimet në ngritjen e tregut të ri bujqësor.
Denaj u shpreh se ky treg është një investim për ndërtimin e një objekti bashkëkohor prej 1050 metra katrorë, me sistem kanalizimi dhe parkim, që i vjen në ndihmë komunitetit të kësaj zone, me potecial në prodhimin bujqësor por edhe konsumatorëve, të cilët do të shesin dhe blejnë produkte të ndryshme.
“Ky investim prej 17 milionë lekë mbështetur nga Skema Kombëtare, përfundon në muajin shkurt dhe do i shërbejë 2500 fermerëve për të tregtuar produktet në kushtet më të mira”, theksoi Denaj.
Ministrja theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj fermerëve në mënyrë që produktet e tyre bio të kenë të garantuar tregun, ndërsa vlerësoi traditën e prodhuesve që e ruajnë cilësinë dhe diversitetin, mjaft të kërkuar nga vizitorët e turistët e huaj.
“Jemi të angazhuar në zgjerimin e infrastrukturës tregtare, duke i dhënë një dimension të ri tregjeve tradicionale edhe në qytete të tjera të vendit. Me diversifikimin e ofertës, ku ndërlidhim edhe turizmin bashkë me ofertën ushqimore, mund t’i kthejmë këto tregje në motor ekonomie për zonën”, nënvizoi ministrja.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë