Takimi për programin IPARD, 22 milionë euro kontrata të lidhura deri më tani për bujqësinë në Shqipëri - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 20/11/2019

Takimi për programin IPARD, 22 milionë euro kontrata të lidhura deri më tani për bujqësinë në Shqipëri

Rreth 22 milionë euro do të investohen në sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural në Shqipëri përmes dhjetrave kontrata të lidhura deri më tani në kuadër të programit IPARD. Ky është një lajm i mirë tha ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, për një vend si Shqipëria që përgjithësisht ka problemeve me përthithjen e fondeve të donatorëve. Deklaratat ai i bëri gjatë takimit të pestë të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD, takim i zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Unë jam optimist që ne do të arrijmë të kapim të gjithë afatet përsa i përket mobilizimi të fondeve të kësaj skeme dhe nuk do të djegim asnjë fond që vjen nga Brukseli. Dua që të gjithë të kuptojnë se megjithë vështirësitë që ka përgjithësisht Shqipëria për thithjen e fondeve që vijnë nga donatorët, në këtë rast ne jemi një histori suksesi. Kjo nuk është për të na vënë në gjumë, por për të na mbajtur zgjuar. Sepse shuma që duhet të shpenzojmë vitin tjetër duhet të jetë dyfish sa shuma e këtij viti”, tha ministri Çuçi.

Të pranishëm në takim ishin edhe Marius Lasdinis, drejtuesi i programit IPARD; Mario Mariani, drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Tiranë; si dhe Frida Krifca, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Aplikimet për thirrjen e dytë të programit IPARD u hapën më 30 tetor të këtij viti dhe do të mbyllen më datë 16 dhjetor 2019.