Panariti: Fillojmë një fazë të re, të krijimit të produkteve të markës shqiptare
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka shpërndarë dje certifikatat e “Vulës së Cilësisë” për 7 kompani të prodhimeve shqiptare. Në një ceremoni të organizuar në ambjentet e Ministrisë, Ministri I Bujqësisë, Edmond Panariti tha se “Vula e Cilësisë” është një instrument I rëndësishëm për të ndërtuar produktet e markës shqiptare. Panariti theksoi se në këtë mënyrë, krijohet fizionomia tipike shqiptare e prodhimeve, duke krijuar produktet e markës. “. Jemi të vendosur ta fillojmë, natyrisht, me disa prodhues të cilët janë njohur edhe në tregjet botërore, pasi eksportojnë me sukses dhe kanë marrë çmime dhe certifikata, por shumë shpejt prodhues të tjerë, të cilët nuk mungojnë, do të ftohen për të aplikuar”, u shpreh Panariti. Kriteret për përfitimet e Vulës së Cilësisë janë: Subjekti prodhues është biznes i rregjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi. Ndaj subjektit prodhues nuk është marrë asnjë masë administrative apo penale për shkelje të rregullave ligjore në fushën e sigurisë ushqimore. Subjekti prodhues respekton standarte të larta higjeno-sanitare dhe standartet e cilësisë, të përcaktuara në Udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për Vulën e Cilësisë. Vula e cilësisë është e vlefshme për një periudhë 1 vjeçare nga data e dhënies së saj.
Prononcimi I plotë I Ministrit Panariti
Jemi sot këtu për të shpërndarë “Vulën e Cilësisë”, e cila përbën një instrument që ministria vë në dispozicion të të gjithë prodhuesëve, fermerëve, agro-përpunuesëve për të ndërtuar produktet e markës shqiptare. Është shumë e rëndësishme që vendi jonë të certifikojë, të krijojë produktet e markës shqiptare, produktet që lidhen me origjinën e kontrolluar të prodhimit bujqësor, me një set standardesh të cilësisë dhe sigurisë, me një proces të mirë kontrolluar teknologjik, i cili i jep produktit final ato cilësi, ato vlera që e lidhin atë me një rajon të caktuar, me një varietet të caktuar dhe që i japin fizionominë tipike shqiptare. Ne e kemi filluar këtë, padyshim, me tre prodhime, produkte bujqësore prioritare, siç janë verat ku ne prej vitesh kemi filluar të konsolidojmë një traditë të mirë në këtë fushë, me vajin e ullirit dhe me mjaltin. Ne prodhojmë dhe promovojmë produktet shqiptare. Ne nuk prodhojmë thjesht verë sepse verë prodhon e gjithë bota, por ne prodhojmë Kokoman, ne prodhojmë Çobo. Pikërisht këto emra e lidhin produktin, e bëjnë atë unik të papërsëritshëm. Po kështu ne nuk prodhojmë vetëm vaj ulliri por ne prodhojmë vajin Musai, Shkalla e shume prodhues të tjerë, të cilët e bëjnë këtë vaj tërësisht unikal, të papërsëritshëm, me vlera të jashtëzakonshme ushqimore, me nivel të lartë polifenolesh, me lëndë antioksidante me nivele shumë më të larta se sa vaji standard i ullirit. Ne prodhojmë mjaltin tonë tipik të kullotave tona të virgjëra me bimë endemike. Prandaj është shumë i rëndësishme promovimi I këtyre produkteve . Në këtë mënyrë ne krijojmë fizionominë tipike shqiptare të prodhimeve tona, krijojmë produktet e markës. Jemi të vendosur ta fillojmë, natyrisht, me disa prodhues të cilët janë njohur edhe në tregjet botërore, pasi eksportojnë me sukses dhe kanë marrë çmime dhe certifikata, por shumë shpejt prodhues të tjerë, të cilët nuk mungojnë, do të ftohen për të aplikuar. Natyrisht aplikimi është shumë sfidues sepse janë standard shumë rigoroze të cilësisë dhe të teknologjisë, të cilët nuk jepen njëherë e përgjithmonë, janë të rinovueshme çdo vit, pra edhe fituesit duhet të kenë parasysh që mbas një viti do t’i nënshtrohen përsëri një certifikimi dhe një kontrolli shumë të hollësishëm, ashtu si kundër edhe aplikuesit e ardhshëm do ta kenë mundësinë për t’u përfshirë në këtë salon elitar, do ta quaja, të prodhimeve tona shqiptare. Prandaj ne, të cilat shkojnë në linjë edhe me vizjonin dhe me sloganin tonë “Prodho, konsumo, tregto shqip”. Tani unë do të ftoja pa humbur kohë, që të shpërndajmë pikërisht certifikatat dhe vulën e cilësisë me fituesit për këtë session të kësaj vule të cilësisë, të cilët marrin që sot statusin prodhime të markës shqiptare, me origjinë të kontrolluar, me process teknjologjik të kontrolluar, me standard të cilësisë dhe sigurisë të garantuara.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë