Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e pranishme në panelin e Samitit III-të të Diasporës në Tiranë, u ndal në rolin e diasporës në zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
“Detyra jonë është të ndihmojmë sipërmarrjen me politikat e duhura, por njëkohësisht të ndihmojmë ndërlidhjen dhe ngritjen e urave të bashkëpunimit të sipërmarrjes kudo, duke qenë të bindur se jo vetëm toka jonë prodhon dhe prodhon bukur, por edhe dashuri dhe pasioni i sipërmarrjes e ka gërshetuar këtë prodhim me një etiketë cilësie që e bën produktin shqiptar të triumfojë dhe ne kemi shembuj konkretë, shumë shembuj dhe duam t’i çojmë këta shembuj edhe më lartë”, u shpreh Denaj.
“Kur flasim për flamurin në produktet tona, flamuri nuk është i kufizuar vetëm në aspekt territorial, flamurin e kemi të gjithë sot, e kemi në zemër gjithmonë dhe kjo i ka bërë që sot sidomos arbëreshët të jetë një shembull frymëzimi për të gjithë. Frymëzim se çfarë do të thotë të ruhet gjuha shumë vite, në 500 vite edhe në një vend tjetër dhe të sillet kaq afër me ne. E gjithë dashuria që ata kanë në tokën e tyre, dje na e tejçuan me një pathos shumë të madh në ditën e abetares dhe të gjuhës shqipe”, vijoi ministrja.
Ajo falënderoi të pranishmit që ishin pjesë e panelit.
“Toka jonë prodhon dhe do prodhojë gjithnjë e më mirë me cilësi dhe ndërlidhja dhe urat e komunikimit mes nesh duhet të jenë edhe më të forta në të ardhmen. Prandaj, unë ftoj që në këtë panel ne të diskutojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë si t’i ndërtojmë këto ura bashkëpunimi përtej një samiti diaspore, përtej një date të rëndësishme dhe një dite të rëndësishme siç ishte ajo e djeshmja dhe të kemi një plan pune, e cila do na vëre përpara përgjegjësisë, ne në radhë të parë si politikëbërës, për të sjellë më afër sipërmarrjen, por edhe pushtetit lokal kudo që të jetë kudo në Shqipëri, në Itali e më gjerë. Një detyrë dhe përgjegjësi të rritur, që produktet shiptare të prodhojnë një sinergji dhe më të madhe nga bashkëpunimi dhe fryma e këtij paneli duhet të jetë, si të zhvillojmë më shumë këtë bashkëpunim kur kemi një bazë shumë të mirë”, tha Denaj.
Në këtë panel morën pjesë tre kryetarë të bashkive arbëreshe, konkretisht nga rajoni i Sicilisë, Rosario Petta, bashkisë Puglia,Noe Andreano, rajoni i Campanias, përfaqësuesi Nicola Norcia si dhe ekspertet Dhurata Thanasi, Johana Bano, sipërmarrësi Altin Prenga dhe prof.Fatbardh Sallaku, të cilët diskutuan për tema si: “ Sfidat me të cilat po përballet prodhimi bujqësor dhe praktikat më të mira në shërbim të përballimit të ndryshimeve klimatike”, “Bashkimi i fermerëve dhe sipërmarrjeve bujqësore për të rritur cilësinë e ofertës”, “Fuqizimi i zinxhirit të vlerës”, “Shkëmbimi i produkteve mes rajoneve arbëreshe dhe bashkive shqiptare”, “Agroturizmi si instrumenti më i fuqishëm i zhvillimit rural”.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë