Reforma e Shërbimit Kombëtar Veterinar - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 16/10/2015

Reforma e Shërbimit Kombëtar Veterinar

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Shërbimi Kombëtar Veterinar, kanë shpallur sot në një kuadër festiv, reformën në shërbimin veterinar. Në aktivitet kanë qenë të pranishëm zëvendëskryeministri i vendit, z. Niko Peleshi, Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, si dhe ekspertë të huaj të cilat janë pjesë aktive në realizimin e kësaj reforme, e cila është pjesë e programit të përgjithshëm të reformave që po ndërmerr qeveria shqiptare. Ministri Panariti, ka falënderuar të gjithë kontribuuesit për realizimit e kësaj reforme dhe ka nënvizuar rëndësinë e saj në kuadrin e rritjes së sigurisë ushqimore. Në fjalën tij, ministri i Bujqësisë, theksoi faktin se reforma në veterinari mbështetet në katër shtylla kryesore, ku do të kryhen ndërhyrje në strukturat shtetërore dhe ato private: Reforma e Administratës Qendrore, Reforma në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Reforma në Institutin e Sigurisë Veterinare, Reforma në Institutin e Sigurisë Veterinare. Kjo reformë, do të sjellë përfitime në të gjithë zinxhirin e komandës sipas parimit  “Nga ferma në tavolinë”,  nën ombrellën e një autoriteti kompetent veterinar qendror, i cili do të jetë garantuesi i përmirësimit të situatës së shëndetit publik përmes minimizimit të sëmundjeve të transmetueshme.

 

Nga ana e tij,  zëvendëskryeministri Peleshi, ka përshëndetur finalizimin e kësaj reforme sipas standardeve evropiane, duke theksuar domosdoshmërinë dhe zbatimin sa më rigoroz të saj në të gjithë sektorët, të cilët do të reformohen. Kjo reformë ka theksuar ai, është një nga kërkesat e BE për anëtarësim.

 

Në fjalën e saj, Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, ka përshëndetur përfundimin e kësaj reforme duke e cilësuar si një nga reformat më të rëndësishme për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e të gjithë zinxhirit ushqimor si garanci që prodhimet shqiptare të mbërrijnë në tregjet evropiane dhe më gjerë. Bujqësia shqiptare do të këtë mbështetjen financiare dhe ekspertizën e nevojshme të BE, si një nga sektorët me potencial më të madh në zhvillimin dhe hapjen e ekonomisë shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare.

 

Fjala e ministrit Panariti

 

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuar zonja Vlahutin ambasadore e Bashkimit Evropian

Të nderuar kolegë të mijë, mjekë veterinarë

Të dashur studentë

Ne sot ndërmarrim një hap shumë të madh dhe të rëndësishëm për ringritjen e një sistemi dhe për reformimin e një shërbimi, i cili është parësor në kontrollin e shëndetit të kafshëve, ruajtjen e shëndetit të popullatës, garantimit të sigurisë së ushqimit.

Më lejoni t’ju shpreh pa e tepruar aspak, se strukturat, përgjegjësitë dhe funksionet e reja të këtij shërbimi të lidhura me këtë reformë, do të çlirojnë kapacitete dhe potenciale të fjetura dhe të pashfrytëzuara.

Ky shërbim i cunguar që deri më tani rrotullohej kryesisht përreth zonave urbane, do të shtrihet në mënyrë të organizuar edhe në fshat duke kapur të gjithë territorin, duke e zgjatur në këtë mënyrë gjurmimin, zbulimin, trajtimin, parandalimin e sëmundjeve nga qendra e banimit dhe deri në fshatin më të largët, duke iu ofruar si shërbim, vaksinim, mjekim, regjistrim, kontroll, çdo deleje, dhije, gjedhi, kafshëve të tjera bujqësore dhe nënprodukteve të tyre.

Shërbimi i ri të nderuar autoritete dhe kolegë, nuk do të jetë vetëm luks i klinikave veterinare të qyteteve, por do t’u shërbejë mbi të gjitha tufave të bagëtive, duke qëndruar pranë blegtorëve, afër barinjve, baxhove, por edhe punishteve dhe fabrikave të qumështit, thertoreve, pularive, stallave. Ky sistem, kthehet në gjithëpërfshirës dhe mbikëqyrës i një zinxhiri ushqimor, që tani e tutje do të funksionojë sipas parimit evropian nga ferma në tavolinë.

Stacionet veterinare, mbi 70 në të gjithë territorin, janë katalizuesit e partneritetit publik dhe atij privat dhe në fakt ato do të jenë indi lidhës i veterinarit privat me përgjegjësitë e ngarkuara për të ushtruar me kontratë edhe funksione publike si gjurmim dhe raportim i sëmundjeve, matrikullim i kafshëve, vaksinim, kontroll i tregjeve dhe i lëvizjeve etj.

Brenda këtij viti, do të fillojnë punën tre stacionet e para veterinare dhe deri në fund të vitit të ardhshëm numri i tyre do të dhjetëfishohet. Kosto e shërbimit e ofruar nga këto stacione, do të jetë sa gjysma e kostos që i ngarkohen sot blegtorëve, barinjve, fermerëve nga shërbimi i paorganizuar dhe informal.

Kjo aleancë e re midis publikes dhe privates, kjo trupë e organizuar që nga disa dhjetëra individë, shkon deri në mijëra, është edhe shumë më e rrjetëzuar dhe kapilare për nga shtrirja, prandaj ajo pritet të çojë drejt përfundimit procese që zvarriten prej dhjetë vitesh.

Në këtë mënyrë, brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, mbyllet matrikullimi i bagëtive të imta. Javën që vjen, ne futim për herë të parë në një tufe bagëtish gjurmimin elektronik të krerëve. Ky sistem novator, do të shtrihet paralelisht me sistemin konvencional të identifikimit të kafshëve duke garantuar një gjurmueshmeri sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian.

Gjurmimi si element i domosdoshëm i informimit dhe i parandalimit, do të përfshijë jo vetëm kafshët e prodhimit, por edhe nënproduktet e tyre të cilat do të mbartin në kodin bar të etiketës edhe historikun e prodhimit dhe të lëvizjes së tyre.

Dje Kuvendi i Shqipërisë, kaloi ligjin “Për Urdhrin Profesional të mjekut Veterinar” , duke na dhënë në dorë instrumentin ligjor për formalizimin e një shërbimi, i cili përveçse i copëzuar, ishte në pjesën dërmuese të tij në të zeze, pra informal.

Si efekt i menjëhershëm i këtij ligji, do të kemi deri në fund të këtij viti, formalizimin e 1200 veterinerëve, të cilët do të kthehen në zyrtarisht të punësuar me të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas ligjit.

Me këtë ligj, rregullohen dhe sistemohen edhe përgjegjësitë e teknikeve të mesëm veterinarë dhe atyre të inseminimit duke e rikthyer në tërësi shërbimin veterinar të Republikës së Shqipërisë në traditën dhe sidomos në hierarkinë e vlerave që ai i mbart që nga viti 1928, vitin e themelimit të tij.

Zonja dhe Zotërinj,

Në aspektin strukturor dhe organizativ, me reformën e tij shërbimi veterinar, mbyll përfundimisht kapitullin e fragmentimit, mbyll kapitullin e moskomunikimit, të mosbashkëveprimit e të rrëmujës së mbivendosjeve të përgjegjësive.

Merr fund ndarja institucionale shëndet i kafshëve shëndet publik veterinar, që nuk kishte asnjë kuptim, pasi një pjesë e madhe e sëmundjeve dhe e ndotësve në kafshë kalojnë tek njeriu jo vetëm me kontakt por kryesisht nëpërmjet ushqimit. Në këtë mënyrë, pas kaq vitesh shërbimi veterinar krijon një shtrat të integruar përgjegjësish dhe funksionesh.

Reforma, krijon një shpërndarje të baraspeshuar të aktorëve dhe faktorëve të përfshirë në menaxhimin e rrezikut nga sëmundjet dhe ndotjet. Kështu evitohen në mënyrë të kujdesshme konfliktet e interesit dhe garantohet në çdo kohë transparenca e të gjithë procesit.

I nderuar zoti Kryeministër, Të nderuar autoritete të pranishme.

Ky event i sotëm, është vetëm uvertura e një simfonie, e cila do të fillojë të luhet që në javën që vjen dhe që në dy vitet e mbetura të mandatit tonë të parë qeverisës, pritët t’i jap një hov prodhimit blegtoral dhe shtimit të numrit të krerëve.

Ju Faleminderit.