Reagim zyrtar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 31/01/2022

Reagim zyrtar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Nisur nga kronika me titull “Serbia bllokon produktet shqiptare/ Eksportuesi nga Shqipëria pengohet. Specat do groposen”, e transmetuar në Top Channel më 29 janar 2022, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se që nga data 27 janar 2022, kur është njohur me këtë çështje ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me homologët serbe për t’u informuar mbi arsyet e këtij vendimi.

Shqipëria dhe vendet e tjera pjesë e marrëveshjes “Open Balkan” kanë marrë përsipër të lehtësojnë e shkurtojnë në kohë procedurat standarde për shkëmbimet tregtare, prodhimet blegtorale e bujqësore. Kështu, janë shkëmbyer, përgatitur dhe njohur në mënyrë reciproke planet e kontrolleve me bazë risku, listat e laboratorëve të akredituar e miratuar, plani kombëtar i mbetjeve, plani i survejances së kafshëve, certifikatat veterinare të lëvizjes së kafshëve, etj.. Këto garanci të marrëveshjes kanë ngritur në nivel reciprociteti dhe besueshmërie të dhënat që shkëmbehen mes autoriteteve homologe kompetente rajonale. Këto autoritete janë në komunikim të vazhdueshëm dhe ndjekin nga afër cdo shkëmbim tregtar a prodhim që prek ato tregje.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vazhdon të monitorojë eksportet shqiptare në rajon për të lehtësuar dhe garantuar lëvizjen e rregullt të tyre.