U prezantua platforma më e re kombëtare ExportON, e cila synon të bëjë bashkë qeverinë dhe biznesin për të fuqizuar eksportet shqiptare, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, si dhe përfaqësues të biznesit eksportues.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, theksoi se ExportON krijon një qasje të integruar për mbështetjen e eksporteve. “ExportON vendos në një tryezë të vetme politikat e eksportit, financimin, standardet, promocionin dhe pengesat reale të sektorit privat,” u shpreh ministri.
Salla theksoi se sot eksporti nuk përfaqëson vetëm shitjen e produkteve jashtë vendit, por lidhet ngushtë me besueshmërinë, certifikimin dhe garantimin e sigurisë për konsumatorin.
Sipas tij, raporti i eksporteve ndaj importeve ka arritur aktualisht në 1 me 3, nga 1 me 7 që ishte rreth një dekadë më parë, ndërsa objektivi i qeverisë është arritja e raportit një import me dy eksporte.
Ministri bëri të ditur se eksportet bujqësore shqiptare shtrihen sot në rreth 80 shtete, ndërsa Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor tregtar.
Ai theksoi se ky orientim tregon se Shqipëria është në drejtimin e duhur. “Në BE të hapet dera vetëm kur ke standard, kontroll, dokumentacion dhe produkt të sigurt,” tha Salla, duke shtuar se puna po vijon paralelisht në disa drejtime strategjike.
Në këtë kuadër, Ministri bëri të ditur se po punohet për përafrimin e plotë të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, digjitalizimin e kontrollit ushqimor dhe forcimin e rrjetit laboratorik. Ai theksoi se investimet në laboratorët rajonalë dhe në pikat e inspektimit kufitar janë thelbësore për besueshmërinë e analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit.
Sa i përket vizionit afatgjatë, Ministri Salla rikujtoi objektivin strategjik të sektorit. “Synimi ynë i Bujqësisë 2030 është që eksportet bujqësore të shkojnë në 1 miliard dollarë në vitin 2030,” deklaroi ai, duke theksuar se rritja e eksporteve kërkon investime të qëndrueshme.
Në këtë drejtim, Ministri nënvizoi se përmes skemave kombëtare dhe IPARD-it do të mbështetet modernizimi i fermave dhe kapaciteteve përpunuese. “Për vitin 2026 janë planifikuar rreth 2 miliardë lekë mbështetje investimi, me grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe instrumente financiare përmes Fondit të Garancisë Sovrane për subjektet agropërpunuese,” tha Salla.
Në përmbyllje, ai theksoi rolin e sektorit privat në këtë proces. “Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë sistemin e standardeve dhe infrastrukturën mbështetëse. Ndërkohë, sektori privat duhet të investojë në cilësi, certifikim dhe organizim, sepse eksporti është një maratonë, jo një sprint. Së bashku duhet ta bëjmë Shqipërinë dhe produktin shqiptar një histori suksesi që lexohet në etiketë dhe provohet në treg, ‘Made in Albania’,” përfundoi Ministri Salla.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë