NJOFTIM MBI RUAJTJEN E PRIVATËSISË

 

SI I PËRDORIM NE INFORMACIONET TUAJA

Ky njoftim mbi ruajtjen e privatësisë tuaj, ju tregon se çfarë duhet të prisni kur autoriteti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (në vijim MBZHR), të mbledhë të dhënat tuaja personale. Kjo vlen për informacionin e mbledhur në lidhje me:

  • individët të cilët paraqesin kërkesa për marrje informacioni apo dokumentacioni, dhënie konsulence, etj;
  • vizitorët në faqen tonë të internetit;
  • aplikantët për punë, të punësuarit aktual dhe ish-punonjësit e MBZHR-së.

 

PERSONAT TË CILËT PËRDORIN SHËRBIMET E MBZHR

MBZHR ofron shërbime të ndryshme për publikun. Ne përdorim detaje të të dhënave të ofruara dhe i mbajmë ato me qëllim që të ofrojmë shërbimin ndaj subjektit edhe për rastet e kërkuara nga ky i fundit për qëllime të tjera të lidhura ngushtë me të.

MBZHR, kur mbledh të dhëna personale, informon subjektin e të dhënave për fushën dhe qëllimin, për të cilin do të përpunohen të dhënat personale, për personin që do t’i përpunojë të dhënat, për mënyrën e përpunimit, përveç rastit kur subjekti i të dhënave është në dijeni të këtij informacioni.

 

VIZITORËT NË FAQEN TONË TË INTERNETIT

 

MBZHR disponon faqen zyrtare të institucionit www.bujqesia.gov.al. Me anë të faqes zyrtare, MBZHR transmeton dhe mbledh informacione.

Për vizitorët e www.bujqesia.gov.al sistemi mbledh informacione standarde të cilat kanë të bëjnë me klikimet e artikujve apo rubrikave në këtë faqe. Ky informacion mblidhet për qëllime statistikore dhe studimi mbi përdorimin e faqes dhe shërbimeve të saj, gjithnjë pa i bërë ata të identifikueshëm.

Ne e mbledhim këtë informacion në atë mënyrë që të mos identifikojmë asnjë vizitor. Ne nuk bëjmë asnjë përpjekje për të gjetur identitetin e vizitorëve që kanë vizituar faqen tonë të internetit.

MBZHR nuk përdor (dhe nuk lejon ndonjë palë të tretë) mjete statistikore analitike për të ndjekur ose për të mbledhur informacione personale që i bëjnë të identifikueshëm vizitorët e faqes tonë zyrtare. Ne nuk lidhim asnjë të dhënë të grumbulluar nga kjo faqe me ndonjë të dhënë personale që e bën vizitorin të identifikueshëm nga çdo burim që të vijë, si pjesë e përdorimit tonë.

Nëse do të duam të mbledhim informacione personalisht të identifikueshme nëpërmjet faqes tonë të internetit, ne do t`jua bëjmë të qartë rastin kur të mbledhim informacion personal dhe do të shpjegojmë se çfarë kemi ndërmend të bëjmë me të.

 

 

APLIKANTËT PËR PUNË, TË PUNËSUARIT AKTUAL DHE ISH-PUNONJËSIT E MBZHR

 

Për rastet e punësimit nëpërmjet lëvizjes paralele (sipas legjislacionit të shërbimit civil) kandidatët kanë detyrimin të depozitojnë në institucion dosjen personale me të dhënat përkatëse. Mbas përfundimit të procedurës këto të dhëna administrohen nga institucioni dhe ju vihen në dispozicion subjekteve të cilat kanë të drejtë kontrolli (në rastet kur kërkohet).

Për punonjësit aktual të MBZHR, njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore krijon dhe administron dosjen e personelit për çdo të punësuar ku të dhënat e përfshira në të mbahen të sigurta dhe përdoren vetëm për qëllime me rëndësi të drejtpërdrejtë mbi punësimin e personit. Kur punësimi i punonjësve pranë MBZHR-së përfundon, ne mbajmë dosjen në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil, ligjin për arkivat dhe rregullat tona të brendshme.

 

 

AKSESI NË TË DHËNAT PERSONALE

 

MBZHR përpiqet të jetë sa më e hapur për t’i dhënë individëve akses në të dhënat e tyre personale. Individët mund të zbulojnë nëse ne mbajmë ndonjë të dhënë personale, duke na dërguar një “Kërkesë për akses tek të dhënat personale”, në bazë të ligjit për “Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Nëse ne mbajmë të dhënat tuaja personale, ne do t’ju:

  • japim një përshkrim të tyre;
  • bëjmë me dije se përse ne i mbajmë ato;
  • tregojmë se tek cili marrës mund t’i përhapim këto të dhëna;
  • japim një kopje të informacionit në një formë të kuptueshme;
  • informojmë nëse dhënia e të dhënave personale është e detyrueshme apo vullnetare.

 

Për të bërë një kërkesë pranë MBZHR-së për çdo të dhënë personale që ne mund të mbajmë është e nevojshme të bëni një kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike dhe të Shërbimeve Mbështetëse.

Nëse jeni dakord, ne do të përpiqemi të merremi me kërkesën tuaj në mënyrë jo formale, për shembull duke iu dhënë informacionin specifik nëpërmjet telefonit.

Nëse ne mbajmë informacion në lidhje me ju, ju mund të na kërkoni të korrigjojmë gabimet në të, duke kontaktuar edhe një herë, Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe të Shërbimeve Mbështetëse.

Ne, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës suaj do t’ju informojmë për kryerjen apo moskryerjen e korrigjimit.

 

PËRHAPJA E TË DHËNAVE PERSONALE

 

Në shumë rrethana, ne nuk përhapim të dhëna personale pa pëlqimin tuaj.

Ju mund të merrni më shumë informacion mbi:

  • rrethanat kur  ne  mund të përhapim të dhënat personale pa marrë pëlqimin, për shembull

për të parandaluar dhe zbuluar një krim dhe për të prodhuar statistika anonime;

  • udhëzimet për stafin se si duhen mbledhur, përdorur dhe fshirë të dhënat personale;
  • mënyrën si ne kontrollojmë se të dhënat që ne mbajmë janë të sakta dhe të përditësuara.

 

LIDHJET ME FAQET E TJERA

Ky njoftim mbi ruajtjen e privatësisë për të arritur mbrojtjen e të dhënave personale nuk përfshin lidhjet midis kësaj faqeje dhe faqeve të tjera.

ANKESA

Çdo person i cili pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme në lidhje me të dhënat personale mund të bëjë ankim tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

POLITIKA E SIGURISË SË INFORMACIONIT

MBZHR përpunon informacionin me qëllim kryerjen e detyrave të saj.

MBZHR është e angazhuar për të siguruar përdorimin e informacionit dhe informacionin e sistemeve të teknologjisë me qëllim ruajtjen e integritetit dhe konfidencialitetit të informacionit nën kontrollin e saj.

MBZHR përdor një qasje të bazuar në risk, gjatë vlerësimit dhe të kuptuarit të rreziqeve si dhe përdor të gjitha mjetet fizike të personelit, teknike dhe procedurale për të arritur masat e duhura të sigurisë.

MBZHR merr parasysh zhvillimet në teknologji dhe kostot e zbatimit për të arritur një nivel sigurie të përshtatshëm për natyrën e informacionit dhe të dëmit që mund të rezultojë nga një shkelje e sigurisë.

Stafi i MBZHR-së i nënshtrohet detyrimit për të ruajtur konfidencialitetin e informacionit i cili i jepet këtij të fundit për të ushtruar funksionet e tij në bazë të ligjit dhe mund t’ua përhapë atë vetëm autoriteteve të ligjshme.

 

SEKRETAR I PËRGJITHSHËM

Enea Hoti

 

Konceptoi: E. Avdulaj

Redaktoi:   R. Dokollari

Pranoi:       A. Latifi

Miratoi:      Sh. Zyla , A.  Maçi