Njoftim - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 11/04/2022

Njoftim

Në 24 orët e fundit nuk kemi raportime rastesh të reja me influencë aviare. AKVMB ka vazhduar monitorimin e situatës në të gjithë vendin me veterinerët zyrtarë.

 

Pas raportimit të shfaqjes së disa shpendëve të ngordhur në bregdet, përgjegjësi i sektorit të shërbimit veterinar për qarkun Lezhë, së bashku me mjekët veterinarë zyrtarë të shërbimit për Njësinë Administrative Shëngjin, si dhe mjekun veterinar zyrtar të kontrollit, shkuan në zonën e Ranës së Hedhun me veshjet përkatëse, mjetet për marrjen e mostrave dhe mjetet për dezinfektimin e zonës. Pasi monitoruan dhe vlerësuan situatën, morën masat sipas Planit të Kontigjencës.

 

Shërbimi veterinar është në gatishmëri në lidhje me situatën e krijuar. Kujtojmë se në Lezhë nuk ka pasur raste të Influencës Aviare.

 

Ndërkohë, për vatrat e konfirmuara, në përputhje me Planin e Kontigjencës, vazhdon monitorimi me veterinerët zyrtarë të AKVMB në rrezen 10 km si dhe vijon procesi i dezinfektimit. Nuk ka patur asnjë njoftim në numrin e gjelbër “08003366” të AKVMB-së gjatë 24 orëve të fundit.

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po kryen monitorime në të gjithë territorin e vendit. Objekt i kontrollit janë të gjitha pikat e tregtimit, duke përfshirë magazinat, tregjet, markete, supermarket dhe stabilimentet e prodhimit të vezëve dhe mishit të pulës për të verifikuar gjurmueshmërinë e produktit vezë, vulën e aprovuar dhe të stampuar në vezë nga prodhuesi, regjistrin e prodhimit të vezëve, regjistrin e shpërndarjes së vezëve, certifikatat veterinare të mishit të shpendëve dhe kushtet e ruajtjes.

Konsumatori duhet të ndihet i sigurt se ushqimet në tregun tonë, në pikat tregtare të licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperatura më të larta se 70 gradë Celsius.

 

Nëse konstatoni shenja të dyshimta për influencë aviare në ferma apo oborre, ju bëjmë thirrje të kontaktoni menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefononi falas në numrin e gjelbër 0800 33 66.