Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe University of Natural Resources and Life Sciences, BOKU, Vjenë, Austri, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Koordinatori i Projektit Z. Hubert Hasenauer, rektorët e UBT dhe BOKU përkatësisht Fatbardh Sallaku dhe Eva Schulev-Steindl, si dhe pedagogë, studentë, specialistë të arsimit, etj.
Kjo marrëveshje synon reformimin e thellë të UBT-së, në mënyrë që ai të përafrohet brenda vitit 2030 me BOKU dhe universitetet homologe europiane në të tre kolonat e misionit të tij: programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive.
Marrëveshja e sotme vjen si rezultat i nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje në muajin prill të këtij viti në Austri, mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Arsimit e Sportit të Shqipërisë dhe ministrive homologe austriake për “Zbatimin e Strategjisë UBT 2030”, – e cila autorizon dy universitetet përkatëse që të dakordësojnë një marrëveshje specifike bashkëpunimi për implementimin e këtij projekti për katër vitet e ardhshme.
Në fjalën e saj Ministrja Denaj theksoi se nxitjen e investimeve në sektorët e ushqimit, prodhimit duke siguruar cilësinë absolute dhe markimin e gjurmueshmërisë, mund t’a realizojmë me përfshirjen e akademisë dhe të brezit të ri që do duhet të na bashkohet në të gjitha nivelet.
Universiteti Bujqësor i Tiranës pritet të shndërrohet në një Qendër Ekselence Rajonale, me synimin final që në fund të këtij bashkëpunimi katër vjeçar të ketë diploma dyfishe dhe programe të përbashkëta të njehsuara me BOKU në Vjenë.
Fjala e plotë e ministres Anila Denaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Universitetin BOKU
Të nderuar zoti Kryeministër, kolegë ministra, të nderuar rektorë, zoti ambassador, të nderuar profesorë, të dashur student,
Prej vitit të themelimit në vitin 1951 ky universitet ka prodhuar breza profesionistësh pa të cilët bujqësia shqiptare nuk mund të ishte kjo që është sot e zhvilluar dhe produktive. Agronomë, zooteknikë, inxhinierë pyjesh, ekonomistë-agrar kanë shërbyer në politikëbërje dhe pranë bujqëve dhe blegtorëve në çdo cep të Shqipërisë.
Sot ne krenohemi me një brez të tërë profesionistësh, të cilët kontribuojnë në mënyrë domethënëse në Shqipëri, por jo vetëm. Personalisht kam nderin që një pjesë të tyre t’i kem pjesë të Këshillit të të Urtëve dhe i falenderoj për të gjithë kontributin e tyre.
Sfidat e zhvillimit ekonomik bujqësor sot me shumë se kurrë kërkojnë një transformim të mënyrës se si i qasim zgjidhjet.
Bujqësia në Shqipëri dhe në mbarë botën po përballet gjithmonë e më shumë me nevojën për një përgjigje akademike dhe profesionale ne shumë dimensione.
Kjo, si në aspektin e reagimit të shpejtë të adaptimit të inovacionit dhe shkencës, por dhe tek gërshetimi i këtyre të fundit me politikbërjen, për të mundësuar marrjen e masave konkrete në kohe e për ti ardhur në ndihmë zhvillimit ekonomik të vendit.
Në këtë proces, rritja e njohurisë për brezat e rinj përmes një arsimi cilësor, mbështetur në eksperiencat më të mira botërore është një hap shumë i rëndësishëm.
Prej vitit 2021, me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Arsimit kanë punuar shumë afër dhe me shumë përkushtim për t’ja arritur ditës së sotme.
Marrëveshje prej të cilës përfitojnë rreth 6 mijë studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Këta studentë e të tjerë që do i bashkohen këtij universiteti, do të shohin dhe përjetojnë një transformim rrënjësor të gjithë strukturës së mësimdhënies dhe mësimnxënies nën modelin e suksesshëm të BOKU, një prej universiteteve lider në fushën e shkencave natyrore.
Kur një muaj më parë në Vjenë, bashkë me Ogertën dhe kolegët austriakë, ministrat Martin Polaschek dhe Norbert Totschnig, firmosëm marrëveshjen ndërqeveritare për Mbështetjen e Projektit të Bashkëpunimit BOKU-UBT, vendosëm një gur të rëndësishëm themeli jo vetëm në transformimin e UBT-së, por edhe të bujqësisë shqiptare në vijim.
Kjo iniciativë është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të rinjtë shqiptarë, për ata që sot ende nuk i janë bashkuar rrugës së dijes në këtë sektor, për të gjithë ata që sot janë duke studiuar në shkollat tona të arsimit profesional. Pa lënë mënjanë edhe studentët aktual të Universitetin e nderuar Bujqësor.
Jam gjithashtu shumë e bindur që katër vjeçari i ardhshëm do të sjellë një mundësi fantastike për trupën tonë akademike, e cila sëbashku me profesorët e nderuar të universitetit BOKU do të transformojnë si strukturën e mësimdhënies, por edhe njësinë e kërkimit shkencor e mbi të gjitha ndërlidhjen e drejtpërdrejtë të kësaj të fundit me zhvillimin ekonomik.
Të dashur pjesëmarrës,
Qeveria Shqiptare ka një objektiv të qartë për 2030 dhe kjo e lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian dhe përafrimin e të gjithë legjislacionit dhe ekonomisë rurale drejt tregjeve ndërkombëtare.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë