Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti sot në një takim Të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner dhe drejtuesen e USAID në Shqipëri, Mischere Kawas.
Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi projektet e USAID-it për forcimin e zinxhirit të vlerës dhe rritjen e bashkëpunimit midis bizneseve shqiptare dhe atyre amerikane.
“Diskutuam mbi projektet e USAID-it për forcimin e zinxhirit të vlerës, mundësitë e bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe ato amerikane në fushën e bujqësisë, për shkëmbimin e eksperiencës dhe produkteve në shërbim të rritjes ekonomike të fermerëve”, u shpreh ministrja Denaj.
Bujqësia është një ndër sektorët e rëndësishëm në ekonominë e vendit, e cila kontribuon ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe punëson rreth 40 % të forcës së përgjithshme të punës.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka në fokus të veçantë mbështetjen e bujqësi në Shqipëri. Kontributi dhe bashkëpunimi i USAID në fushën e bujqësisë ka ndihmuar fermerët të rritin angazhimin dhe sipërmarrjen në sektorin rural, të rrisin rendimentin dhe cilësinë si dhe të zgjerojnë shitjet.
Gjithashtu programi i ndihmës së SHBA-së, i zbatuar kryesisht nga USAID-i, po e ndihmon Shqipërinë të ecë në rrugën drejt Integrimit Evropian nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike dhe rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë