Font Resize
 Ministrja Denaj: Pezullim i inspektimeve të paautorizuara dhe komision i ri vlerësimi për AKU - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 12/07/2025

Ministrja Denaj: Pezullim i inspektimeve të paautorizuara dhe komision i ri vlerësimi për AKU

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, njoftoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit dhe transparencës në aktivitetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pas shtimit të ankesave dhe shkeljeve të konstatuara në terren.

Ministrja ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pa miratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin “Për inspektimet” dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit.

Në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ministrja parashtroi nevojën e dyfishimit të kuotave për studentët që angazhohen në fushën e sigurisë ushqimore, duke i hapur rrugën kështu ndërtimit të një brezi të ri profesionistësh të formuar sipas standardeve europiane.

“Le të mos harrojmë që ky universitet shumë shpejt ka të njësuar çertifikatën me një nga universitetet më prestigjioze në Evropë, që është BOKU”, tha ministrja Denaj.

Garantimi i sigurisë ushqimore është një detyrim ligjor për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për të gjitha institucionet e saj të varësisë.