Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut synojnë zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, në kuadër të marrëveshjeve bilaterale që kanë firmosur dy vendet, si pjesë e agjendës së integrimit dhe procesit të Berlinit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi në Shkup, një takim me Ljupcho Nikolovski, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të konferencës rajonale për ndryshimet e kushteve klimatike dhe ndikimin në bujqësi.
Ministrja Denaj vuri në dukje dakordësinë mes dy vendeve për zgjerimin e marrëdhënieve që do të vijojë vitin e ardhshëm, në kuadër të marrëveshjeve bilaterale që kanë firmosur dy vendet tona.
“Dakordësuam zgjerimin e marrëdhënieve që do të vijojmë në vitin e ardhshëm në kuadër të marrëveshjeve bilaterale që dy vendet tona kanë firmosur e në frymë të bashkëpunimit rajonal, si pjesë e agjendës së integrimit dhe Procesit të Berlinit, në rritje të cilësisë së produkteve dhe eksporteve”, deklaroi Denaj.
Në kuadër të Procesit të Berlinit sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural ka hedhur hapa konkretë.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar vitin e fundit Marrëveshjen për njohjen e Certifikatave Fitosanitare, duke lehtësuar në këtë mënyrë shkëmbimet tregtare të produkteve bujqësore mes dy vendeve.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë