Ministrja Denaj në Peqin, inspekton punimet në kanalin ujitës: Shërben për ujitjen e rreth 650 ha tokë bujqësore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 13/01/2024

Ministrja Denaj në Peqin, inspekton punimet në kanalin ujitës: Shërben për ujitjen e rreth 650 ha tokë bujqësore

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte sot në Peqin, ku së bashku me kryetarin e Bashkisë, Bukurosh Maçi, deputetin Saimir Hasalla dhe zv.ministrin, Arian Jaupllari inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në investimin që po realizohet në kanalin ujitës të kësaj zone.

Ministrja Denaj, tha se, ky objekt është një ndër veprat më të rëndësishme hidroteknike, që shërben për ujitjen e rreth 650 ha tokë bujqësore në bashkinë e Peqinit, teksa shprehu angazhimin e qeverisë për invetimeve të reja në infrastrukturën ujitëse dhe kulluese në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë.

Denaj theksoi se, “përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes do të rrisë sasinë dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore duke ndikuar në mirëqënien e fermerëve. Me një fond prej 317 milion lekë, MZHBR ka përgatitur projektin e plotë të rehabilitimit, që pritet të përfundojë këtë vit”.

“I ndërtuar në 1965, me një kapacitet të projektuar rreth 17 m3/sekond dhe gjatësi rreth 40 km, ky kanal furnizohet me ujë nga lumi Shkumbin nëpërmjet digës Çengelaj”, nënvizoi Denaj.
Qeveria ka adresuar për vitin 2024, një buxhet për bujqësinë në vlerën e 14.18 miliardë lekëve. Peshën më të madhe e zë rehabilitimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Këtë vit buxheti ka planifikuar një fond prej 2.55 miliardë lekë për menaxhimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit, me rritje 23.4 %, krahasuar me vitin 2023. Ndërsa po planifikohen edhe investime në mbrojtjen e digave.