Ministrja Denaj: 55 veterinerë i janë bashkuar “flotës sonë”, në shërbim të sigurisë ushqimore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 05/01/2024

Ministrja Denaj: 55 veterinerë i janë bashkuar “flotës sonë”, në shërbim të sigurisë ushqimore

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e filloi vitin e ri me një takim me veterinerët e rinj, të cilët i janë bashkuar ekipt të MBZHR-së, duke nisur punë në pozicionet vakante pranë Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB).

Duke i uruar mirëseardhjen në shtëpinë e tyre të re, ministrja Denaj i ftoi ata të japin kontributin nëpërmjet profesionit të tyre në vendin tonë.
“Tashmë qeveria ka krijuar mundësinë që ne në politikbërje të marrim studentët më të mirë jo vetëm, në punësim të menjëhershëm, por për të çuar më parë këto politika të qenësishme në mbështetje të ekonomisë së vendit”, u shpreh Denaj.

Denaj i inkurajoi ata për profesionin që kanë zgjedhur që siç u shpreh ajo, është sa i bukur, aq edhe sfidues pasi sfida e vërtetë fillon në momentin e praktikës reale dhe në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, fermerëve, blegtorëve, të cilët kanë nevojë për veterinerë.

“Puna juaj e përditshme ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe rritjen e sigurisë ushqimore.Produktet shqiptare shkojnë sot në mbi 80 tregje ndërkombëtare dhe janë jo vetëm në një markë cilësore, por me 0 pasoja për jetën e njerëzve. Ndaj, roli juaj është shumë i rëndësishëm”, tha ministrja.
Denaj shprehu falënderime për punën që zhvillojnë pedagogët e fushës dhe Urdhri i Mjekut Veterinar, teksa vlerësoi këtë të fundit, si aktor të rëndësishëm jo vetëm në pjesën e trajnimeve, kualifikimeve, por mbi të gjitha qasjen dhe bashkërendimin e punës së urdhrit me politikbërjen.

Profesioni i veterinerit ka nisur të rimëkëmbet me politikat e mbështetjes dhe punësimit, pas një periudhe kohore kur të rinjtë nuk e preferonin. Tashmë, lidhja me punën dhe natyrën po rigjen terren pasi të rinjtë po interesohen për profesione të vlefshme të cilat garantojnë punësim dhe kënaqësinë e shërbimit në komunitet.
“Ju jeni 55, por në fakt përfaqësoni vetë 10% të numrin total të veterinerë që janë të punësuar në Agjencinë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Aktualisht ne kemi edhe vende vakante, të cilat sipas ligjit të nëpunësit civil duhet të ndjekin procedurën e drejtorisë dhe administratës publike”, u shpreh ministrja, teksa u ndal në reformën për rritjen e pagave që ka ndërmarrë qeveria e kryeministrit Rama, si gur themeli për rritjen e cilësisë së punës e shërbimit publik, por dhe projeksionit në integrimi evropian, që kërkon jo vetëm njerëz me energji por edhe persona që janë të mirë paguar.

Për vitin 2023, AKVMB-së i janë bashkuar 55 veterinerë të rinj të sapo diplomuar. Ata janë vija e parë e këtij shërbimi veterinar, që kujdesen për mirëqenien e kafshëve dhe monitorimin e situatave epizotike.

“Ekonomia shqiptare po zhvillohet dhe nevoja për shërbime veterinare është domozdoshmëri dhe përgjegjësi, për sigurinë ushqimore dhe standardet e cilësisë që kërkojmë të arrijmë në intergrimin europian. Prandaj nevoja është që të kuptojë që përveç pasionit është edhe ekonomia e lidhur me këtë profesion”, theksoi Denaj.
E pranishme në këtë takim Zv. Rektorja e UBT-së, Erinda Lika, u ndal në sfidat e këtij profesioni por dhe mundësitë e reja që janë në tregun e punës falë politikave mbështetëse të qeverisë për punësimin e të rinjve.

“Sot jam në rolin e një pedagogu por në rolin e një kolegeje tuajën. Sfidat që ju presin janë shumë të mëdha por jo të papërballueshme janë sfida që do ju bëjnë më të fortë më të përgjegjshëm , janë sfida të cilët ju caktojnë vëndin tuaj si një përfaqësi më e mirë e shërbimit veterinar. Ju sot keni marrë përsipër të jeni në një pozicionet më të vështira në sektorin e shërbimit veterinar me shumë përgjegjësi, jeni përfaqësia më e mirë në degën e mjekësisë veterinare të UBT dhe keni shancin të jeni sot këtu. Unë vetë jam diplomuar në 2004 dhe Shqipëria në ato kohë kishte shumë pak pozicione pune në veterinary. Ja ku jemi sot me një treg më të hapur pune jashtëzakonisht kompetent me shumë përgjegjësi dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të shërbimit public. Keni një përgjegjësi shumë të madhe, keni një profesion shumë të bukur, jeni shumë të nderuar dhe të vlersuar cojeni deri në fund misionin tuaj”, tha ajo.
Ndërsa Ervin Resuli, kreu i Urdhërit të Mjekut Veterinar, shprehu mbështetjen e institucionit që ai drejton, për rritjen profesionale të studentëve të Veterinarisë.
“Kemi një qasje pozitive ndaj MBZHR-së dhe eskluzivisht ndaj ministres që e ka nisur këtë vit me veterinerët e rinj, ky është një sinjal që Ministria e Bujqësisë e vlerëson profesionin e veterinerit dhe mendon që e ka të nëvojshëm suportin që ata të kryejnë funksionet të cilat i ngarkon detyra dhe ligji. Urdheri i Mjekut Veterinar ka një qasje për të qenë me afër të gjithë kolegëve të rinj dhe të vjetër, që të marrin trajnime cilësore, mbështetje për çdo problematikë që do të kenë në këtë profesion”, theksoi Resuli.
Fjalën e morën edhe veterinerët e rinj që i janë bashkuar “flotës së së veterinerëve të AKVMB”.

23 vjeçarja Gerald Duka, tregoi se ka dy muaj që i është bashkua flotës së veterinerëve të AKVMB dhe mbulon katër fshatra të njësisë administrative Kutalli Beratit. “Në punët e përditshme që unë bëj, janë matrikullimi i lindjeve të reja, plotësimi i certifikatave të lëvizjes për kafshët dhe monitorimi profilatik”, u shpreh Duka.
Elife Kucaj është një tjetër 23 vjeçare, që prej një muaji është pjesë e drejtorisë rajonale Vlorë dhe mbulon dy fshatra të Nivicës dhe Shën-Vasil.

“Nisa punë direkt pas përfundimeve të studimeve të larta në profesionin tim dhe është një arritje e madhe profesionale për mua. Dua të falenderoj kolegët e mi që kanë një përvojë më të lartë se unë, që më japin mbështetje për përmbushjen e detyrës në praktik”, tha ajo.
Në këtë takim fjalën e morën dhe shumë studentë të tjerë, të cilët ndanë përvojën e tyre të parë të punës si mjek veteriner në terren dhe shprehën dëshirën të kontribuojnë për vendin dhe të mos largohen nga Shqipëria.