Ministria e Bujqësisë: Situata e sëmundjeve zoonotike, nën kontroll të plotë - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 21/04/2014

Ministria e Bujqësisë: Situata e sëmundjeve zoonotike, nën kontroll të plotë

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave deklaron se sëmundjet zoonotike, ose sëmundjet që kalojnë nga kafsha te njeriu, janë nën kontroll të plotë. Në një deklaratë për mediat, Drejtoresha e shërbimit Veterinar znj. Shpresa Arbi u shpreh:

“Rastet e evidentuara në Tepelenë me plasje në 5 persona, janë të izoluara, dhe janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria individuale dhe mosndërgjegjësimi i fermerëve në zona të ndryshme të vendit.

Ministria e Bujqësisë pas njoftimeve që mori nga Instituti i Shëndetit Publik në rrethin e Tepelenës në fshatin Arzë e Madhe, mori të gjitha masat, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së plasjes.

E gjithë zona u vu nën kontrollin veterinar dhe u vaksinuan 4000 krerë që mbarështroheshin në këtë zonë. Ministria e Bujqësisë, në planin kombëtar të parandalimit të sëmundjes së plasjes ka vaksinuar 165 mijë krerë në qarkun e Gjirokastrës dhe vazhdon monitorimi.

Në rang Republike në kuadër të programit kombëtar, janë vaksinuar 410 mijë krerë të imeta, gjedhë, kuaj, derra me vlerë prej 18 milionë lekësh të reja. Si rezultat i planit kombëtar të vaksinimit, pas vitit 2009 deri ne vitin 2013, prirja e semundjes paraqet nje ulje e te theksuar. Ministria e Bujqësisë ka një fushate ndërgjegjësimi për masat që duhen marrë në rastet kur shfaqen sëmundje të tilla.

I bëjmë apel fermerëve që në rastet e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të tilla te kafshët, të lajmërojnë menjëherë shërbimin veterinar zyrtar, shërbimin veterinar të komunave e bashkive dhe gjithë veterinerët private që operojnë në zonat e tyre.

Ministria e Bujqësisë siguron se situata është nën kontroll të plotë, për të garantuar shëndetin e konsumatorit”