Font Resize
 Ministria e Bujqësisë nënshkruan tri marreveshje me Italinë - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 09/02/2017

Ministria e Bujqësisë nënshkruan tri marreveshje me Italinë

Marrëveshjet, pjesë e Programit për Modernizimin e Sektorit Bujqësor Shqiptar

Projektet e nënshkruara sot, për fuqizimin e AZHBR, për Zhvillimin e Sektorit të Ullishtarisë dhe për Sistemin e Sigurimeve të Subvencionuara në Bujqësi

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë: Këto marrëveshje kanë si qëllim, mbështejen e zbatimin e komponentëve kryesore të një projekti të veçantë

Vojo Bregu: Për përmbushjen e këtyre tri projekte, i domosdoshëm përkushtimi ynë për forcimin e kuadrit institucional

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, nënshktroi sot tri marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Këto marrëveshje që u nënshkruan në kuadër të Programit për Modernizimin e Sektorit Bujqësot Shqiptar, u firmosën nga Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Z.Vojo Bregu dhe tre pëfaqësuesit italianë të projekteve në fjalë,

“Këto marrëveshje kurorëzojnë përfundimin e një bashkëpunimi të ngushtë me Ministrinë Italiane të Bujqësisë dhe Institutin Mesdhetar Agronomik të Barit (IAM), duke konfirmuar edhe një herë lidhjet tona historike, ekonomike, kulturore dhe sociale që e bëjnë Italinë një aleat kyç për vendin tonë. Secila prej këtyre marrëveshjeve ka si qëllim të mbështesë zbatimin e komponentëve kryesore të një projekti të veçantë”, theksoi Z.Bregu në fjalën e tij, sipas të cilit, Ministria italiane e Bujqësisë, do të bëhet sot partneri institucional referuar këtyre projekteve.

Më tej, Sekretari i MBZHRAU, Z.Bregu deklaroi se, projektet janë hartuar në bazë të Protokollit të Bashkëpunimit për Zhvillim midis Italisë dhe Shqipërisë 2010-2012 , por mbeten në përputhje me Protokollin e Bashkëpunimit 2014-2016, i cili konfirmon sektorët e mëparshëm strategjikë dhe janë plotësisht në përputhje me prioritetet e identifikuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, me strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Është gjithashtu e qartë se për përmbushjen e këtyre tri projekte në mënyrë të kënaqshme, nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm asistenca (padyshim ekselente) që do të marrim nga partnerët tanë italianë, por sigurisht do të jetë e domosdoshme përkushtimi ynë i vazhdueshëm për forcimin e kuadrit institucional nga ku do të përcaktohen dhe zbatohen politikat bujqësore dhe rurale.

Ky është një angazhim themelor që unë personalisht mund t’ia garantoj partnerëve tanë institucionale të cilët janë prezentë këtu sot. Puna që na pret muajt e ardhshëm do të jetë shumë impenjative për të gjithë ne. Por, unë jam i bindur se me kontributin institucional dhe teknik të Ministrisë italiane të Bujqësisë, Institutit Mesdhetar Agronomik të Barit, do t’i përfundojmë me sukses të tre projektet, duke vazhduar rrugën drejt integrimit evropian dhe duke kontribuar në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rural, me përfitime të prekshme për të gjithë shoqërinë shqiptare”, theksoi Bregu.

Programi për Modernizimin e Sektorit Bujqësor Shqiptar (PROMAS) zbatohet nën kuadrin e Protokollit Italo-Shqiptar për Bashkëpunim dhe Zhvillim 2010-2012. Financuar me një kredi të butë prej 10 milionë euro, filloi aktivitetin në mars 2015 në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, e cila vepron si agjenci ekzekutuese.

PROMAS përbëhet nga tre projektet e mëposhtme, identifikuar dhe projektuar bashkërisht nga autoritetet shqiptare dhe italiane: Fuqizimi i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

(AZHBR), financuar me shumën 5.000.000 euro; Zhvillimi i Qëndrueshëm i Sektorit të Ullishtarisë Shqiptare (ASDO), financuar me shumën 3.000.000 euro dhe Projekti Pilot për krijimin e një Sistemi Sigurimesh të Subvencionuar në Bujqësi (ASSI), financuar me

shumën 2.000.000 euro.

Objektivat e tyre janë në përputhje me dispozitat e ISARD, Strategjia Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural të Shqipërisë.