Font Resize
 Ministria e Bujqësisë, kontroll në tregjet e kafshëve për parandalimin e lëvizjes së atyre të matrikulluara - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 21/12/2016

Ministria e Bujqësisë, kontroll në tregjet e kafshëve për parandalimin e lëvizjes së atyre të matrikulluara

Aksioni në Tapizë, pjesë e grupeve të punës, Ministria e Transporteve dhe Policia e Shtetit

Drejtori i Shërbimit Veterinar: Asnjë kafshë nuk do të lëvizë, nëse nuk është e matrikulluar dhe vaksinuar

Edi Fero: Fermerët të drejtohen pranë Drejtorive të Bujqësisë nëse s’kanë informacione, aksioni do të vazhdojë në të gjithë vendin

Kontrolle edhe në tregun e Fushë-Milotit dhe në Rrugën e Kombit

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe Policinë e Shtetit, nisën sot një aksion, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin, për parandalimin e lëvizjes së kafshëve të patrikulluara e paregjistruara, për kontrollin e kushteve në tregje dhe makinat e transportit të kafshëve.

Që në orën 04.00 të ditës së sotme, Zëvendësministri i Bujqësisë, Z.Roni Telegrafi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Bujqësore, Z.Flamur Laze dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë, Z.Edi Fero, përfaqësues të Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve dhe të Policisë së Shtetit, ndërmorën një aksion në tregun e kafshëve të gjalla në Tapizë (Fushë Krujë), ku verifikuan të gjithë lëvizjen e kafshëve të gjalla në këtë treg, regjistrimin e tyre, matrikullat, si dhe mjetet e transportit të tyre, nëse kishin autorizime.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar, Z.Edi Fero, deklaroi se ky aksion do të vazhdojë në të gjitha qarqet e vendit, ndërkohë iu bëri thirrje fermerëve, që të mos ndërmarrin iniciativa për lëvizjen e kafshëve pa matrikull, pasi ato do të sekuestrohen. “Iu bëj thirrje fermerëve, që të matrikullojnë çdo kafshë. Nëse gjenden të papërgatitur, pasi kjo gjë nuk u është kërkuar më parë, të drejtohen pranë Drejtorive të Bujqësisë në rrethet e tyre dhe të kërkojnë matrikullimin, gjë që po ecen edhe aktualisht me ritme të shpejta. Ndërkohë, transportuesit e kafshëve të mos lëvizin, nëse automjetet e tyre nuk janë të autorizuara e certifikuara nga specialistët për një shërbim të tillë. Ndërsa pronarët e tregjeve, privatë apo pushtet vendor, të marrim masa për përmirësimin e kushteve në to”, theksoi Fero.

Tregtarëve në tregun e Tapizës u është kontrolluar i gjithë dokumentacioni shoqërues i kafshëve, me qëllim ndjekjen dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së tyre, përfshirë edhe regjistrin e vaksinave të kafshëve për brucelozë etj. Nga kontrolli i sotëm janë verifikuar disa raste të lëvizjes së kafshëve pa matrikull, të disa automjeteve të pacertifikuara për lëvizjen e tyre, ndërkohë që janë paralajmëruar se, nëse do të konstatohen të tilla probleme në ditët në vazhdim, kafshët pa matrikull dhe automjetet e paautorizuara për transport kafshësh, do të sekuestrohen.

Në të njëjtën kohë, edhe strukturat e Drejtorisë së Bujqësisë në Lezhë, na bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhestrukturat e Kontrollit të Automjeteve, kanë zhvilluar kontrolle e patrullime në tregun e Fushë-Milotit dhe në Rrugën e Kombit. Nga verifikimet e bera dhe kontrollet, nuk ka pasur raste të veçanta apo të lëvizjes së kafshëve të pamatrikulluara ose në mjete transporti të palicencuara.