Ministri Salla në Sarandë: Faza e dytë e investimit për rehabilitimin e argjinaturës së kanalit K-17 do të garantojë mbrojtjen e mbi 2,000 hektarëve tokë bujqësore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 18/08/2026

Ministri Salla në Sarandë: Faza e dytë e investimit për rehabilitimin e argjinaturës së kanalit K-17 do të garantojë mbrojtjen e mbi 2,000 hektarëve tokë bujqësore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi dhe Kryetarin e Bashkisë Konispol Ergest Dule, inspektuan përfundimin e fazës së parë të rehabilitimit të argjinaturës së kanalit K-17 në Vrinë, ku janë përforcuar rreth 1.3 kilometra argjinaturë. Ndërhyrja do të vijojë me fazën e dytë, për rehabilitimin e plotë të saj dhe forcimin e mbrojtjes së tokave bujqësore të zonës.

Investimi i realizuar në fazën e parë rrit sigurinë për mbi 2,000 hektarë tokë bujqësore, duke reduktuar rrezikun nga erozioni, përmbytjet dhe depërtimi i ujërave të kripura nga Kanali i Vivarit, një problematikë që ndër vite ka rrezikuar kripëzimin e tokave të fushës së Vrinës.

Gjatë inspektimit, Ministri Salla theksoi se përfundimi i kësaj faze është vetëm një pjesë e paketës së investimeve të parashikuara për zonën.

“Faza e parë ka përfunduar dhe do të vijojmë me ndërhyrjet e tjera, në mënyrë që investimi të kompletohet si një cikël i plotë për të gjithë zonën. Me mbrojtjen e argjinaturës dhe funksionimin e hidrovorit mbrojmë mbi 2,000 hektarë tokë bujqësore”, u shpreh Ministri Salla.

Ai bëri të ditur se investimet e parashikuara për zonën arrijnë në rreth 20 milionë euro dhe përfshijnë një paketë të integruar ndërhyrjesh për mbrojtjen, ujitjen dhe kullimin e tokave bujqësore.

“E gjithë kjo paketë investimesh shkon diku te 20 milionë euro për këtë zonë bujqësore, për të mbrojtur tokat, për t’u shërbyer me vaditje dhe për të garantuar kullimin e tyre”, deklaroi Salla.

Ministri u ndal edhe te rëndësia e investimeve parandaluese përballë ndryshimeve klimatike dhe reshjeve intensive, duke theksuar nevojën që ndërhyrjet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit të realizohen përpara periudhave me risk të shtuar.

“Klima ka ndryshuar. Nëse reshjet që më parë shpërndaheshin në tre muaj, tani mund të bien në dy javë, kjo krijon përmbytje dhe problematika të tjera. Prandaj duhet të marrim masa dhe të investojmë në kohë. Po përgatisim një paketë projektesh për zonat ku kemi nevojë të ndërhyjmë në të gjithë Shqipërinë”, tha Ministri Salla.

Sipas tij, pjesë e paketës për zonën e Butrintit është edhe ndërhyrja në hidrovor, i cili ka një rol thelbësor në kullimin e fushës së Vrinës, si dhe modernizimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, me synim mbrojtjen afatgjatë të prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Ministri Salla bëri të ditur gjithashtu se, pas 17 vitesh, do të hapen kuotat për midhjet, duke e cilësuar këtë një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë lokale dhe sektorin e peshkimit.

“Pas 17 vitesh do të hapim edhe kuotat për midhjet, që është një lajm shumë i mirë për Sarandën, Konispolin dhe gjithë Shqipërinë. Kjo do të ndihmojë ekonominë vendase dhe sektorin e peshkimit, ndërsa konsumatori do të ketë një produkt cilësor dhe me standardet e kërkuara”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, theksoi se investimet në këtë zonë kanë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në prodhimin bujqësor dhe ekonominë lokale, por edhe në zhvillimin e turizmit, duke krijuar një efekt zinxhir për rritjen e aktivitetit ekonomik.

Vijimi i rehabilitimit të argjinaturës K-17 me fazën e dytë, së bashku me ndërhyrjet në sistemin e ujitjes, kullimit dhe hidrovorin, synon të krijojë një sistem të integruar mbrojtjeje për tokat bujqësore dhe një infrastrukturë më të qëndrueshme përballë fenomeneve natyrore.