Ministri Salla në Mamurras: Evakuim i gjësë së gjallë, strukturat në terren për evidentimin e dëmeve për fermerët e prekur nga reshjet - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 11/01/2026

Ministri Salla në Mamurras: Evakuim i gjësë së gjallë, strukturat në terren për evidentimin e dëmeve për fermerët e prekur nga reshjet

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhet në Mamurras, së bashku me Kryetaren e Bashkisë, Majlinda Cara, në një vizitë në fermën e fermeres Flora Brozi, e cila mbarështon rreth 120 krerë bagëti dhe shpendë.

Si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit dhe problematikave të krijuara nga përmbytjet, është asistuar në evakuimin e tufës së bagëtive, e cila aktualisht është sistemuar në zonën e Fushë-Milotit, duke garantuar sigurinë e gjësë së gjallë dhe vijimësinë e aktivitetit blegtoral.

Ministri Andis Salla bëri me dije se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me grupet e verifikimit të bashkive, ndodhet në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, ushqimin për kafshë dhe në bujqësi. Procesi i verifikimit po kryhet jo vetëm për fermën e Flora Brozit, por edhe për të gjithë fermerët e tjerë të prekur nga situata e krijuar.

Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, me qëllim mbështetjen e fermerëve dhe vlerësimin e plotë të pasojave të reshjeve intensive në zonat e prekura.