Ministri Salla në Komitetin Ndërministror të Emergjencave: Kemi evakuuar disa ferma, po punojmë për hapjen e kanaleve kulluese dhe rehabilitimin e dy argjinaturave që kane pasuar carje. Strukturat në terren për verifikimin e dëmeve dhe mbështetjen e fermerëve - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 09/01/2026

Ministri Salla në Komitetin Ndërministror të Emergjencave: Kemi evakuuar disa ferma, po punojmë për hapjen e kanaleve kulluese dhe rehabilitimin e dy argjinaturave që kane pasuar carje. Strukturat në terren për verifikimin e dëmeve dhe mbështetjen e fermerëve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, të thirrur nga Kryeministri Edi Rama, për shkak të situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit në disa zona të vendit, informoi mbi masat e marra nga Ministria e Bujqësisë dhe strukturat në varësi.

“Sipas situatës që është paraqitur ditët e fundit, ne kemi qenë në terren me të gjithë grupet e punës të Ministrisë së Bujqësisë, ku kemi ngritur grupet e verifikimit në të gjitha zonat e prekura për evidentimin e saktë të dëmeve,” theksoi ministri Salla.

Ai bëri me dije se veterinerët zyrtarë po ofrojnë asistencë të vazhdueshme në zonat e prekura, përfshirë edhe rastet kur ka qenë e nevojshme kryerja e evakuimeve. “Së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, kemi bërë evakuimin e disa fermave të rrezikuara, por edhe në rastet kur ka pasur nevojë për ndërhyrje me ushqim për kafshët, kemi dhënë asistencën tonë,” u shpreh ministri.

Në fjalën e tij, Ministri Salla theksoi se hidrovoret janë në gatishmëri dhe kanë funksionuar normalisht në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke ndihmuar në përballimin e situatës. “Po punojmë për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese aty ku është e nevojshme, me të gjithë eskavatorët në dispozicion. Aktualisht kemi 29 eskavatorë në gatishmëri në nivel kombëtar, kryesisht në zonat e prekura nga përmbytjet,” deklaroi ai.

Sipas ministrit, të gjithë eskavatorët kanë qenë në gatishmëri 24 orë për monitorim dhe ndërhyrje të menjëhershme, veçanërisht në zonat ku janë realizuar argjinatura. “Në dy çarjet në Sheqeras–Devoll dhe Bilisht–Goshticë vijojmë ende ndërhyrjen në argjinatura, pasi kemi pasur përmbytje të konsiderueshme në këto zona,” tha Salla.

Në përfundim, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se po vijon procesi i verifikimit në terren në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e emergjencave civile. “Jemi në punë për saktësimin e dëmeve në bujqësi dhe evidentimin e të gjithë të prekurve, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë të situatës në të gjithë territorin e prekur të Shqipërisë,” përfundoi ministri.