Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë në kompaninë “Fenix” në Elbasan, një sipërmarrje e konsoliduar në sektorin e agropërpunimit, e specializuar në përpunimin e ullirit, vajit të ullirit dhe produkteve të peshkut. Gjatë vizitës, ministri u njoh me investimet e realizuara nga kompania në teknologji moderne, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe bashkëpunimin me fermerët e zonës, duke theksuar se politika e qeverisë synon të mbështesë pikërisht sipërmarrje të tilla që krijojnë më shumë vlerë të shtuar për prodhimin vendas dhe rrisin eksportet. “Me investime në teknologji moderne, mbështetje nga Skema Kombëtare dhe së fundmi me markën e saj ‘Toka’, kompania ka zgjeruar aktivitetin, ka krijuar më shumë vende pune dhe ka forcuar bashkëpunimin me mbi 100 fermerë të zonës, ndërsa produktet e saj eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe tregjet europiane,” u shpreh Ministri Salla. Ai vlerësoi kompaninë “Fenix” si një model të sipërmarrjes shqiptare që lidh prodhimin bujqësor me industrinë përpunuese, duke rritur të ardhurat e fermerëve dhe konkurrueshmërinë e produkteve Made in Albania në tregjet ndërkombëtare. Ministri Salla theksoi se Qeveria Shqiptare do të vijojë të mbështesë investimet në sektorin agro-ushqimor përmes Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili lehtëson aksesin në financim për bizneset që investojnë në zgjerimin e aktivitetit dhe modernizimin e teknologjisë. “Përmes nismës ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, po mbështesim sipërmarrjet që investojnë, rrisin kapacitetet përpunuese, krijojnë vende të reja pune dhe zgjerojnë praninë e produkteve ‘Made in Albania’ në tregjet ndërkombëtare,” deklaroi ministri. Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një instrument financiar i Qeverisë Shqiptare që synon të lehtësojë aksesin në financim për ndërmarrjet përmes kredive me kushte të favorshme dhe Garancisë Sovrane. Me një fond prej 250 milionë eurosh, programi mbështet investimet në makineri dhe pajisje, teknologji, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese e përpunuese, digjitalizimin, certifikimet dhe projekte të tjera që rrisin konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve. Në kuadër të kësaj nisme, përfituesit mund të marrin kredi deri në 200 milionë lekë, me norma interesi nga 2% deri në 3%, ndërsa shteti mbulon deri në 70% të riskut të kredisë përmes Garancisë Sovrane. Aplikimet janë të hapura deri më 20 nëntor 2027 pranë bankave të nivelit të dytë të përfshira në program.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë