Ministri Salla në Elbasan: Bashkëpunimi mes fermerëve rrit konkurrueshmërinë dhe fuqizon prodhimin vendas - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 29/07/2026

Ministri Salla në Elbasan: Bashkëpunimi mes fermerëve rrit konkurrueshmërinë dhe fuqizon prodhimin vendas

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe Arbjan Mazniku zhvilluan një takim me fermerët në Elbasan, ku u prezantua nisma për krijimin e Shoqatës së Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) “Bulmeti i Elbasanit”. Nisma është pjesë e programit për organizimin e fermerëve sipas produkteve prioritare në çdo bashki, me synim forcimin e bashkëpunimit, rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit dhe krijimin e më shumë vlere të shtuar për prodhimin vendas.

Gjatë takimit, Ministri Salla theksoi se modelet e kooperimit janë një nga instrumentet më të rëndësishme për uljen e kostove të prodhimit, rritjen e fuqisë negociuese të fermerëve dhe përmirësimin e aksesit në treg.

“Përmes kësaj nisme mbështesim krijimin e Shoqatës së Bashkëpunimit Bujqësor ‘Bulmeti i Elbasanit’, një model që bashkon 22 blegtorë për të rritur fuqinë e tyre në treg, për të organizuar grumbullimin e qumështit, për të prodhuar bulmet me standarde të larta dhe për të promovuar markën ‘Made in Albania’,” u shpreh Ministri Salla.

Ai bëri të ditur se, me mbështetjen e Bankës Botërore, në Elbasan do të ndërtohet një qendër moderne grumbullimi dhe përpunimi të produkteve bujqësore, e cila do të krijojë më shumë mundësi për fermerët dhe do të përmirësojë organizimin e zinxhirit agro-ushqimor.

“Me mbështetjen e Bankës Botërore këtu do të ndërtohet një qendër grumbullimi dhe përpunimi të produkteve bujqësore, e cila do t’u vijë në ndihmë fermerëve në grumbullimin dhe tregtimin e prodhimit,” deklaroi ministri.

Ministri Salla nënvizoi se mbështetja e bashkëpunimit mes fermerëve është një nga prioritetet edhe në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, e cila parashikon masa të dedikuara për grupimet e fermerëve.

“Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, disa nga masat adresojnë mbështetje të konsiderueshme për grupimet e fermerëve, duke subvencionuar në masën 100% fermerët që bashkëpunojnë,” tha ai.

Salla theksoi se krijimi i Shoqatave të Bashkëpunimit Bujqësor do të ndihmojë në konsolidimin e prodhimit, rritjen e kapaciteteve të grumbullimit dhe përpunimit, forcimin e pozitës së fermerëve në treg dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ai shtoi se modeli i SHBB-ve do të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit, sipas produkteve prioritare, duke krijuar një bazë më të fortë për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.

Screenshot

Screenshot

Screenshot

Screenshot