Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi baxhon “Venari” në Cërrik, një biznes familjar që prej vitit 1998 vijon traditën e përpunimit të qumështit, duke u mbështetur në bashkëpunimin e ngushtë me fermerët dhe në prodhimin vendas.
Gjatë vizitës, ministri u njoh nga afër me aktivitetin e baxhos, e cila prodhon djathë të bardhë, kaçkavall dhe produkte të tjera të bulmetit, duke përdorur qumësht të siguruar nga fermerët e zonës, por edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë në rajon.
Me një kapacitet prodhimi prej rreth 140 kilogramësh në ditë, baxho “Venari” furnizon tregun vendas, duke dëshmuar se investimi në përpunimin e produkteve bujqësore dhe partneriteti me fermerët krijojnë më shumë vlerë të shtuar për ekonominë rurale.
Ministri Salla vlerësoi rolin e sipërmarrjeve të tilla në zhvillimin e sektorit të përpunimit të qumështit, duke theksuar se mbështetja e prodhimit vendas dhe forcimi i zinxhirit nga ferma te konsumatori mbeten një nga prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ai nënvizoi se modele si baxho “Venari” tregojnë se tradita, përkushtimi dhe bashkëpunimi me fermerët janë elementë kyç për rritjen e cilësisë së produkteve shqiptare, fuqizimin e ekonomisë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë