Me një fokus të qartë te siguria ushqimore dhe përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e kësaj fushe, qeveria shqiptare me propozim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka miratuar në mbledhjen e radhës, VKM nr 335,“Për miratimin e rregullave për regjistrimin, të procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca komunikoi për mediat, ndryshimet e miratuara, që në thelb kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore.
“VKM-ja në fuqi nuk krijonte hapësirën rregullatore për një ndërhyrje të shpejtë lidhur me ç’rregjistrimin e produkteve të rregjistruar në vendin tonë, të përputhura me BE-në, kur sinjalizon alerte mbi produkte të caktuara. Nëse më parë, heqja e këtyre produkteve që nuk duhet të përdoren më, i referohej afatit të skadencës që mund të ishin deri në 3 vjet, tanimë përshtatet sipas afateve të dhëna nga BE, që mesatarisht janë deri në 6 muaj”, tha ministrja Krifca .
Ministrja shtoi se duke reaguar shumë më shpejt, do të mund jo vetëm të kryhen kontrollet e duhura, por edhe të asgjësohet stoku, në të gjitha pikat ku këto PMB tregtohen.
Po ashtu, nga 1 Janari 2021 e gjithë procedura e rregjistrimit të PMB-ve bëhet online, ne e- albania.
Ministrja informoi për mediat miratimin, gjithashtu të VKM-së nr 712, në lidhje me standartizimin e procesit të Konkurrimit në Sektorin e Peshkimit dhe Akuakulturës, për të krijuar gjithë hapësirën e mundshme administrative, me qëllim që të shkojmë drejt qasjes së një ndikimi real në ekonominë e vendit, nëpërmjet eksportit.
“Duke mbështetur sektorin e peshkimit dhe akuakulturën, jemi duke identifikuar të gjithë nevojat që ka ky sektor, duke synuar të përmirësojmë edhe flotën e peshkimit dhe investuar në të gjithë kapacitetet e këtij sektori”, tha ministrja.
Ndryshimet e miratuara standartizojnë procedurat e konkurrimit mes palëve të interesuara në këtë sektor, në funksion të plotë të transparencës, duke vendosur edhe afate kohore mbi proceset e konkurrimit.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2019 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë