Ministri i Bujqësisë, Panariti: Shërbimit Veterinar i del një sfidë akoma më e madhe për ta parandaluar një infeksion që tashmë qarkullon në vendet e BE, të hyjë në territor, që është gripi i shpendëve. Këtu duhet një bashkëpunim me ju, pasi një pjesë e pularive janë pjesë e territorit tuaj
Ministria e Bujqësisë: Ja çfarë iu kemi kërkuar bashkive për tregjet dhe si duhet të jenë ato
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, përshendet takimin e sotëm të Kryeministrit Z.Edi Rama me kryetarët e bashkive, takim ky ku ishte i pranishëm edhe Ministri Edmond Panariti. Në takimin e zhvilluar në vijën e kërkesave të herëpashershme të Ministrisë së Bujqësisë dhe Z.Panariti për masat që duhen ndërmarrë nga njësitë e qeverisjes vendore, për kushtet e tregjeve të hapura, Kryeministri Rama deklasoi se, situata është alarmante në 33 tregje dhe se nga data 1 dhjetor të gjitha kafshët që shkojnë në treg të jenë të shoqëruara me certifikatë veterinare ose do të sekuestrohen. “Tregjet janë kërcënim për sigurinë e jetës së konsumatorit. Jemi shumë të shqetësuar për nivelin e shërbimit veterinar që ofrohet në bashki, është trashëgimi e rëndë”, deklaroi Rama, duke shtuar se, “ne duam që kjo situatë të adresohet urgjent, nga data 1 dhjetor të gjitha kafshët që shkojnë në treg të jenë të shoqëruar me certifikatë veterinare ose të sekuestrohen. Siguria ushqimore është një nga kushtet e Bashkimit Evropian”.
Ndëkaq, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti theksoi se, “Shërbimit Veterinar i del një sfidë akoma më e madhe për ta parandaluar një infeksion që tashmë qarkullon në vendet e BE, të hyjë në territor, që është gripi i shpendëve. Këtu duhet një bashkëpunim me ju, pasi një pjesë e pularive janë pjesë e territorit tuaj”.
Ndërsa lidhur me sëmundjen e dermatozës nodulare, ministri i Bujqësisë bëri me dije se javën e ardhshme do të vihen në dispozicion 50 mijë doza me vaksina.
Nga 33 tregje të hapura të tregëtimit të kafshëve të gjalla, vetëm tregu i Laknasit në Kamëz, i përuruar pak ditë më parë, plotëson standardet për të funksionuar si i tillë e për të garantuar sigurinë ushqimore.
Ministria e Bujqësisë e ka njoftuar disa herë pushtetin vendor për situatën në tregjet e kafshëve të gjalla, pasi nga kontrollet e vazhdueshme nga drejtoria e veterinarisë në këto tregje në lidhje me zbatimin e legjislacionit përkatës për funksionim e tyre, kanë sjellë në qendër të vemendjes problematika të shumta.
“Tregjet e kafshëve të vendosura në listën më sipër janë të vendosur të gjithe në brendesi të qendrave urbane duke mos respektuar distancën e parashikuar. Tregjet nuk janë te rrethuar konform standarteve të kërkuara për pasojë hyrja dhe dalje e kafshëve në treg bëhet e pa kontrolluar. Nuk janë ndërtuar në parametrat funksional të një tregu të bazuar në aktet ligjor në fuqi. Në treg qarkullojnë kafshë të pashoqëruara me certifikatën e lëvizjes së kafshëve dhe në të shumtën e rasteve kafshët janë të pa matrikulluara. Shërbimi veterinar, në treg kryhet formal dhe hyrjet dhe daljet e kafshëve nga tregu janë të padokumentuara në regjistrat përkatës.
Tregu i konsideruar si njësi epidemiologjike veterinare nuk ka një gjurmushmëri të lëvizjes së kafshëve dhe të produkteve të tyre që vendosen në treg, për pasojë dhe siguria e konsumatorit në cdo rast është e rrezikuar”, janë disa nga problematikat e verejtura nga Sherbimi Veterinar.
Ministri i Bujqësisë, Z.Edmond Panariti, iu ka kërkuar me institim Kryetarëve të Bashkive, madje edhe me shkresa zyrtare, që të ndërhyjnë për përmirësimin e kushteve në këto tregje.
Ministria e Bujqësisë proposon që, për përmirësimin e standardeve e tregjeve të kafshëve të gjalla, si një hallkë e rëndësishme në zinxhirin ushqimor sipas parimit “Nga ferma në tavolinë”, për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, garantimin e sigurisë se produkteve me origjinë shtazore, mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit shqiptar, si dhe për të bërë të mundur hapjen e ekporteve të kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së, “strukturat e qeverisjes vendore të lehtësojnë procedurat për investitorët, të cilët duan të investojnë në këtë fushë me qëllimin e përmirësimit të kushteve në 33 tregjet ekzistuese, sipas standardeve të përcaktuara në VKM nr. 230, datë 20.03.2013 dhe modelit të hartuar me asistencë teknike të ekspertëve evropianë, i cili do t’ju vihet në dispozicion nga MBZHRAU”.
Propozim tjetër i Ministrisë së Bujqësisë ka qenë edhe fakti se, strukturat e qeverisjes vendore, të garantojnë që tregu i kafshëve të gjalla të jetë jashtë qytetit, së paku 500 m larg vendbanimeve dhe ambienti i destinuar për treg të kafshëve të mos ketë shërbyer në 20 vitet e fundit si, varrezë e kafshëve apo si depo publike e mbeturinave.
“Strukturat e qeverisjes vendore të garantojnë ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të kafshëve të gjalla vetëm në tregjet, të cilat janë të miratuara për funksionimin e tyre dhe të bëjnë monitorimin e tyre sipas kalendarit të funksionimit për çdo rajon.
Garantimin e kontrollit veterinar në të gjitha tregjet, për të siguruar dhe garantuar që, lëvizja e kafshëve në tregje të bëhet vetëm për kafshët e matrikulluara dhe të shoqëruara me certifikatën veterinare, e cila garanton që kafshët janë të shëndetshme.
Në të gjitha tregjet e kafshëve të instalohet sistemi i informacionit blegtoral dhe veterinar “RUDA”, ku do të ketë të pasqyruar të gjitha të dhënat për kafshët që hyjnë dhe dalin nga tregu. Në ketë sistem behet regjistrimi dhe çregjistrimi i kafshëve sipas destinacionit, fermë ose thertore.
Çdo treg i kafshëve duhet të ketë edhe thertoren sanitare për therje emergjente–sanitare të kafshëve”, janë propozimet e Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, shërbimi veterinar që kryhet në keto tregje duhet të jetë pjesë e sherbimit veterinar shtetëror të kësaj ministrie në kuadër dhe të reformës regullatore në sektorin e veterinarisë, që po zbaton ky institucion, por dhe në mbështetje të ligjit nr.139/ 2015 që pas miratimit të këtij ligji, ky shërbim nuk ushtron më funksionet e veta në njësitë e pushtetit vendor.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë