Panariti: Shtyllat kryesore ku po punojmë për rritjen e konkrrueshmërisë së bujqësisë në Shqipëri
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka zhvilluar dje në Pallatin e Kongreseve Konferencën me temë: “Për një Bujqësi konkurruese në Shqipëri”. Të pranishëm në këtë konferencë ka qenë Ministri Edmond Panariti, Ambasadori I Italisë në vendin tonë, Massimo Gaiani, Zëvendësministri I Bujqësisë Alban Zhusi, Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Brunilda Paskali, z.Cosimo Lacirignola Sekretar I Përgjithshëm I CIHEAM, Klaudio Polignano përfaqësuës I rajonit të Pulias si dhe Massimo Goldoni President I FEDERUNACOMA. Në fjalën e tij, Ministri I Bujqësisë z.Edmond Panariti tha se që bujqësia shqiptare të rrisë shkallën e konkurrueshmërisë, duhet që fokusi të përqendrohet në dy drejtime kryesore: në lidhjen e prodhimit bujqësor me tregun dhe në uljen e kostos së prodhimit. “Këto janë dy vektorët kryesorë që bëjnë të mundur që bujqësia jonë të jetë konkurruese, të zhvillohet, të përparojë, të gjenerojë të ardhura për kompani kombëtare por edhe për familjet. Për këtë arsye skemat tona të mbështetjes financiare të bujqësisë kanë qenë vërtet skema pioniere, skema shumë ambicioze, të cilat janë fokusuar kryesisht në rritjen e këtij investimi, investimeve gjithëpërfshirëse në bujqësi, investime që nuk i takojnë thjesht vetëm individit, por i takojnë të gjithë komunitetit të prodhuesve, agro-përpunuesve dhe të tregtuesve dhe prioritet i jonë absolut kanë qenë dhe do të mbeten investimet në pikat e mëdha të grumbullimit që unë e konsiderojë të drejtë edhe si zemra, si enët e bujqësisë shqiptare, ku grumbullohet prodhimi, shpërndahet dhe arrihet deri në seksionin final që janë tregjet e vendit por edhe të gjithë tregjet ndërkombëtare”, tha Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti. Nga ana e tij, Ambasadori i Italisë në vendin tonë, z.Masimo Gaiani në fjalën e tij theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e bujqësisë. “Roli i Italisë në fushën e mekanikës bujqësore është i njohur në të gjithë botën. Por, është po aq e vërtetë, që sot nuk jemi mjaftueshëm prezent në tregun shqiptar. Përshëndes panairin, që do të çelet nesër e që nis dialogun, përmes të cilit Shqipëria do të përmirësojë nivelin e mekanikës bujqësore, e nga ana tjetër, Italia ka të gjithë potencialin për të qenë partnere e domosdoshme”, tha Massimo Gaiani, Ambasador i Italisë në Tiranë.
Fjala e plotë e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti
Konferencë Kombëtare për një bujqësi konkurruese. Titulli i konferencës, vërtetë është shumë intrigues, bëhet falë për sfidën tonë, të një bujqësie konkurruese, të një bujqësie të sfidave të zhvillimit, një bujqësi e cila do të jetë motori I zhvillimit ekonomik të vendit. Por, si do të bëjmë ne që bujqësia jonë të rrisë shkallën e konkurrueshmërisë? Në do të përqendrohemi në dy drejtime kryesore, në radhë të parë në lidhjen e prodhimit bujqësor me tregun dhe në uljen e kostos së prodhimit. Këto janë dy vektorët kryesorë që bëjnë të mundur që bujqësia jonë të jetë konkurruese, të zhvillohet, të përparojë, të gjenerojë të ardhura për kompani kombëtare por edhe për familjet. Për këtë arsye skemat tona të mbështetjes financiare të bujqësisë kanë qenë vërtet skema pioniere, skema shumë ambicioze, të cilat janë fokusuar kryesisht në rritjen e këtij investimi, investimeve gjithëpërfshirëse në bujqësi, investime që nuk i takojnë thjesht vetëm individit, por i takojnë të gjithë komunitetit të prodhuesve, agro-përpunuesve dhe të tregtuesve dhe prioritet i jonë absolut kanë qenë dhe do të mbeten investimet në pikat e mëdha të grumbullimit që unë e konsiderojë me të drejtë edhe si zemra, edhe si enët e bujqësisë shqiptare, ku grumbullohet prodhimi, shpërndahet dhe arrihet deri në seksionin final që janë tregjet e vendit por edhe të gjithë tregjet ndërkombëtare. Ne nuk do të lodhemi duke investuar në këto pika të mëdha grumbullimi sepse pikërisht unë kam bindjen që nderi më i madh që mund t’u bëjmë neve prodhuesve, fermerëve, kultivuesve të prodhimeve bujqësore, është t’u mbledhim prodhimin dhe t’i paguajmë ata për prodhimin e prodhuar nëpër pikat e grumbullimit. Prandaj jemi të përqendruar, jemi të fokusuar pikërisht në investimet në këto pika të mëdha të magazinimit të prodhimit, të ruajtjes së tij, të shpërndarjes. Nga ana tjetër në këto pika ne nuk do të grumbullojmë thjesht prodhime por do të organizojmë edhe ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj fermerëve, duke filluar nga konsulenca, shërbimet këshillimore, por njëkohësisht dhe shpërndarjen e materialit gjenetik të kontrolluar dhe posaçërisht të farave dhe të fidanëve të kontrolluara dhe certifikuara por edhe të imputeve të tjera të rëndësishme, siç janë plehërat kimik, të cilët duhet të jenë të kontrolluar, certifikuar dhe të shpërndahen në pika të autorizuara të grumbullimit. Pse ne jemi të vendosur për të ndjekur me vendosmëri këtë lloj përqasje? Jemi të vendosur, pasi ju e dini që sfida e madhe e jona është integrimi Evropian i vendit dhe pikërisht nëpërmjet këtyre vektorëve, nëpërmjet këtyre qendrave që lidhin prodhimin me tregun ne bëmë një hap të vendosur drejt rrugës tonë evropiane dhe këtu është edhe shansi jonë unik për të arritur standardet e larta të cilësisë dhe sigurisë, pasi kemi shansin për të kërkuar zbatimin e standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë së produkteve bujqësore për të garantuar sistemin e gjurmueshmërisë sipas parimit tonë të vendosur, “Nga Ferma në Tavolinë”. Pra ky është dimensioni i asaj që unë e konsideroj bujqësi të fizionomisë evropiane të vendit, e cila do të zhvillohet tipikisht në zonat e ulëta të vendit, në zonat bregdetare. Nga ana tjetër ne nuk do lëmë pas dore do të jetë në qendër të vëmendjes tonë edhe zhvillimi i bujqësisë në zonat kodrinore dhe malore. Ju e dini që Kombet e Bashkuara kanë shpallur vitin 2014 si viti i bujqësisë familjare, dhe kjo bujqësi është shumë atraktive, është një bujqësi shumë sfiduese, një bujqësi që i reziston shumë më mirë krizave se sa bujqësia intensive dhe kjo bujqësi kombinohet më së miri prodhimi bujqësor me turizmin. Sfida jonë është që fermat tona të bujqësisë familjare t’i kthejmë në ferma të cilat jo vetëm prodhojnë por njëkohësisht edhe promovojnë vlerat e gastronomisë, vlerat e prodhimeve bio shqiptare dhe jo rastësisht në këto ferma do të synojmë që të promovojmë edhe vulën tonë të cilësisë, pra të krijojmë ato që quhen produkte të markës shqiptare. Këto ferma nëpërmjet ushqimit, nëpërmjet produkteve do të jenë si të thuash simboli i vlerave autoktone dhe tradicionale shqiptare. Ne do të inkurajojmë shumë bujqësinë e fermave të vogla, të cila përkundrazi i konsiderojmë si një aset, si një vlerë aq më tepër për të shfrytëzuar potencialet ende të pazhvilluara të agro-turizmit. Ne kemi shembuj shumë inkurajues, unë kam lëvizur shumë dhe kamë vënë re që ne kemi ikona të agro-turizmit të cilat duhen stimuluar. Këtë e kam parë në qarkun e Korçës, por këtë e vëmë re edhe në veri të Shqipërisë, tek Mrizi i Zanave që besoj se e keni pasur rastin të gjithë, një shembull tipik i agro-turizmit dhe ç’vlerë mund të ketë ajo që quhet “Small size farme”, apo fermat me sipërfaqe të vogël. Në fund të fundit unë kam bindjen time që nuk është sipërfaqja ajo që vendos, por është në radhë të parë tregu ai që vendos. Ne duhet të përshtatim, ne duhet të punojmë me atë që kërkon tregu, ne duhet të jemi të orientuar drejt tregut sepse shoqëria, sistemi në të cilin kemi vendosur të ndërtojmë demokracinë shqiptare si sistemi i ekonomisë së tregut. Duhet të prodhojmë në raport me kërkesat e tregut dhe kjo është esenciale, pasi nuk duhet bërë fjalë vetëm për një shoqëri 3 milionë konsumatorë por natyrisht ambiciet tona që produktet shqiptare të kalojnë kufirin, të eksportohen në vendet e rajonit dhe duke përqafuar standarde më të larta të bujqësisë evropiane të jenë të pranishëm siç janë të pranishëm edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo është sfida jonë e përbashkët, kjo është edhe përpjekja jonë persistente për të ngritur bujqësinë shqiptare në nivele të tilla. Aktiviteti që do të kemi rastin që sëbashku të lançojmë nesër, mekanika bujqësore. Mekanika bujqësore është një element esencial thelbësor për nxitjen e prodhimit bujqësor dhe për uljen e kostos së tij. Ju e dini që ne kemi shumë për të bërë në sektorin e mekanikës bujqësore, prandaj unë jam shumë i lumtur që nesër ne do të kemi rastin që së bashku të promovojmë disa produkte të teknologjisë më të avancuar në mekanikën bujqësore, nëpërmjet një pranie shumë prestigjioze të firmave më prestigjioze të mekanikës bujqësore. Ju e dini që ne për fat të keq ende kemi numrin më të vogël në rajon të traktorëve apo pajisje të mekanikës bujqësore për njësi të sipërfaqes, dhe jo vetëm kaq por edhe ato që kemi i kemi të amortizuara. Prandaj këtu bëhet fjalë për një hop vërtet domethënës, cilësor dhe oferta që do të paraqitet përpara fermerëve, përpara kultivuesëve do të jetë si të thuash ballafaqimi i parë i fermerëve. Natyrisht ajo që qëndron si sfidë përpara nesh është që ne t’jua mundësojmë fermerëve, pasi padyshim ekziston një kosto dhe ja ku jemi ne nëpërmjet mekanizmave mbështetëse, nëpërmjet fondeve tona por edhe nëpërmjet bashkëpunimit me bankat, të cilët do të bëjnë të mundur që këto pajisje të teknologjisë së lartë t’u vijnë në dispozicion fermerëve, natyrisht me çmime favorizuese dhe stimuluese. Padyshim sfida këtu është që ne të mbështesim grupimet e fermerëve, për arsye sepse është shumë më e lirë që të blihet një traktor nga një grupim fermerësh se sa nga një individ i caktuar. Nga ana tjetër unë do të dëshiroja t’i tërhiqja vëmendjen të pranishëmve në këtë panair të mekanikës bujqësore edhe ndaj bujqësisë kodrinore dhe malore. Pra edhe për ta duhet të kemi ofertë, duhet të kemi ofertë me pajisje që i përshtaten atij terreni, pra motokultivator, pasi siç theksova kjo bujqësi për ne konsiderohet një bujqësi e një aseti të veçantë, pasi ndoshta është promotorja, promovuesja më e mirë e imazhit tradicional, autokton të Shqipërisë krahas dhe zhvillimit të bujqësisë intensive. Ju falënderoj shumë për praninë tuaj dhe jam i bindur që edhe nëpërmjet diskutimeve ne do të kontribuojmë shumë jo vetëm në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti por dhe në suksesin e plotë të panairit të ditës së nesërme.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë