Konferenca ndërkombëtare në UBT, Salla: Reforma në bujqësi, siguri ushqimore dhe peshkim për një zhvillim të qëndrueshëm rural - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 03/11/2025

Konferenca ndërkombëtare në UBT, Salla: Reforma në bujqësi, siguri ushqimore dhe peshkim për një zhvillim të qëndrueshëm rural

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi ekspertë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës për të ndarë dije dhe përvojë në funksion të një bujqësie që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale.

Në këtë konferencë morën pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Andis Salla, Kryetari i Akademisë së Shkencave z. Skënder Gjinushi, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, si dhe profesorë dhe studiues vendas e të huaj.

Në fjalën e tij, Ministri Salla vlerësoi rolin historik të Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili sipas tij, prej 74 vitesh ka qenë një shtyllë e dijes dhe formimit profesional të mijëra agronomëve, veterinerëve dhe specialistëve që kanë mbajtur gjallë bujqësinë shqiptare në çdo kohë.

“UBT është një nga aleatët më të çmuar në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian. Aty ku ka dije, ka zhvillim dhe jetë. Ne do të bëjmë që fshati të jetë më i zhvilluar, fermeri më i mbrojtur, agronomi më i respektuar dhe produkti shqiptar më i vlerësuar në tregjet europiane”,  u shpreh Ministri Salla.

Duke ndarë vizionin e qeverisë për një bujqësi moderne, inovative dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian, Ministri nënvizoi se ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë, universiteteve, akademisë, sektorit privat dhe vetë fermerëve.

Ai foli për ecurinë e punës në kuadër të kapitujve 11, 12 dhe 13 të procesit të integrimit europian, që lidhen me bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe peshkimin, duke i cilësuar këto kapituj si ndër më sfiduesit, por njëherazi më të rëndësishmit për transformimin e qëndrueshëm të zonave rurale dhe zhvillimin e ekonomisë bujqësore të vendit.

Ministri Salla bëri të ditur se përmes kapitullit 11, që trajton bujqësinë dhe zhvillimin rural, po ndërtohet një sistem i ri për regjistrimin e parcelave bujqësore, i cili do të garantojë transparencë, drejtësi dhe do të mundësojë zbatimin e politikës së përbashkët bujqësore.

Ky proces, vlerësoi z. Salla, do të ndihmojë fermerët shqiptarë të konkurrojnë me dinjitet në tregun europian.

Në lidhje me kapitullin 12, që përfshin sigurinë ushqimore, ai informoi se Ministria po punon për ngritjen e një sistemi kombëtar digjital për gjurmimin e inputeve bujqësore, që do të bashkojë regjistrat e fermerëve, grumbulluesve dhe laboratorëve, duke garantuar produkte të sigurta dhe të certifikuara sipas standardeve më të larta të Bashkimit Europian.

Ndërsa për kapitullin 13, që ka të bëjë me peshkimin dhe burimet detare, theksi u vu mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ekosistemit dhe përshtatjen e plotë me rregullat e BE-së, me qëllim mbrojtjen e burimeve detare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Një tjetër nismë e rëndësishme e paraqitur nga Ministri Salla ishte ajo për krijimin e Urdhrit të Agronomit, një kuadër ligjor që synon të rregullojë dhe të forcojë profesionalizmin në sektorin bujqësor përmes licencimit dhe akreditimit profesional.

“Ky mekanizëm do të garantojë cilësi, përgjegjësi dhe zhvillim të vazhdueshëm të specialistëve që punojnë në këtë fushë”, nënvizoi Ministri.

Ministri theksoi se ky angazhim nuk është vetëm një detyrë politike, por edhe një mision moral dhe njerëzor, sepse lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe shpresën e mijëra familjeve rurale që punojnë çdo ditë për një të ardhme më të mirë.

“Si dikush që e njeh nga afër jetën rurale dhe përditshmërinë e fermerit, unë e ndjej këtë mision jo vetëm si politik, por si detyrim moral dhe njerëzor”, theksoi Ministri Salla, duke shtuar se çdo reformë do të bazohet në dijen dhe profesionalizmin që lind në auditorët e UBT-së.

Z. Salla garantoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të mbetet një partnere e hapur dhe e palodhur për të ecur përpara së bashku me akademinë, kërkimin shkencor dhe komunitetin e fermerëve.

Ministri Salla falënderoi partnerët ndërkombëtarë nga SHBA, Anglia, Gjermania, Italia dhe veçanërisht Universitetin BOKU të Vjenës për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe për ndarjen e dijes dhe përvojës që ndihmon zhvillimin e shkencës bujqësore shqiptare.

Ai theksoi se bashkëpunimi midis UBT dhe BOKU është një shembull konkret i mënyrës se si arsimi dhe kërkimi shkencor mund të udhëheqin ndryshimin real në bujqësi.

Ministri shprehu bindjen se Shqipëria do të mbërrijë me dinjitet në Bashkimin Europian, me produktet, identitetin dhe dijen e vet kombëtare, duke e cilësuar këtë proces si një rrugëtim historik që forcon jo vetëm bujqësinë, por edhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.