Informacion për publikun - konfirmohet një vatër me Influencë Aviare - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 28/12/2024

Informacion për publikun – konfirmohet një vatër me Influencë Aviare

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë mbrëmjen e ditës së djeshme, për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar me pula dhe gjela deti ka marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.
Mëngjesin e datës 28.12.2024 përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në Fshatin Cekrez Morinë Njësia Administrative Zall-Herr, Tiranë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në përgjigje dhe veprim të menjëhershëm, ka vendosur në dispozicion të Shërbimit Veterinar të AKVMB gjithë logjistikën e nevojshme me qëllim intensifikimin e kontrolleve dhe të gjurmimit të rastit. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë të gjitha masat për eleminimin me qëllim ç’rrenjosjen e infeksionit, si dhe ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Shërbimi Veterinerar gjithashtu po mbikqyr dhe monitoron nëpërmjet gjurmimit dhe kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV.
Eshtë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 411 datë 20.09.2022 “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare”, i cili përcakton modalitetet e mbajtjes nën kontroll të sëmundjes, dhe Urdhri Nr. 177, datë 28.03.2023 “Për miratimin e programit kombëtar të mbikqyrjes së Influencës Aviare”.
Prej ditës së sotme, njoftojmë fermerët, mbarështuesit e cilësdo lloj specieje shpendësh se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e Njësive Administrative të Zall-Herrit, Zall Bastarit, Kasharit, Shëngjergjit, Bërxullës dhe Prezës, në zbatim të Urdhrit të Minstrit Nr. 1132, datë 28.12.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:

– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Zall-Herr, Zall Bastar, Kashar, Shëngjergj, Bërxullë dhe Prezë.

– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Zall-Herr, Zall Bastar, Kashar, Shëngjergj, Bërxullë dhe Prezë.

– Moslejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes së influencës aviare. Këto shpendë duhen të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në territorin e Njësive Administrative Zall-Herr, Zall Bastar, Kashar, Shëngjergj, Bërxullë dhe Prezë.

Udhëzojmë shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.

Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal, mos-manipulimi me shpendët e dyshuar, si dhe për efekt kohe kontakti me AKVMB në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: info@akvmb.gov.al.
Sot, në datë 28.12.2024 Qendra Kombëtare e Krizës në zbatim të Urdhrit të Ministrit nr 885, 30.10.2024 mbajti takimin koordinues dhe monitorues të situatës. Gjithashtu, nga ana e MBZHR u bë njoftimi zyrtar i sëmundjes në Sistemin e Informimit për Sëmundjet e Kafshëve të BE-së (ADIS) dhe në sistemin e raportimit të shpërthimit të sëmundjeve (WAHIS) të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) me qëllim njoftimin dhe masat e marra për rastin.