Zv.Ministri Roni Telegrafi: Jemi vend i rrezikuar, merrni masa urgjente për parandalimin e virusit dhe aq më tepër, për përhapjen e tij, nëse prekemi
Drejtori i Shërbimit Veterinar, Edi Fero: Shumëfishoni vigjilencën dhe garantoni biosigurinë. Në çdo rast, konsumatori s’duhet të cënohet
Fero: Si masë të parë, ne bllokuam importin e shpendëve, të gjallë apo therur, nga të gjitha vendet e prekura
Rreziku nga mbërritja e virusit të Gripit të Shpendëve në vendin tonë dhe masat paraprake që duhen ndërmarrë, ka detyruar sot Zëvendësministrin e Bujqësisë, Z.Roni Telegrafi dhe Drejtuesit e Shërbimit Veterinar dhe Sigurisë Ushqimore, që të mbledhin përfaqësuesit e stabilimenteve të rritjes së shpendëve. Takimi u zhvillua në ambiantet e Ministrisë së Bujqësisë, ku Zëvendësministri Telegrafi bëri nje rezyme të shkurtër së situatës së përhapjes së këtij virusi në Evropë dhe që nuk është shumë larg vendit tonë. “Të gjithë e dimë, ne dhe ju, që jemi të rrezikuar. Interesi është maksimal, i joni dhe juaj, për të marrë masa, me qëllim që, nëse ky virus vjen edhe në vendin tonë, dëmet të jenë sa më të pakta në industrinë tuaj, por që njerëzit të mos preken në asnjë mënyrë”, tha Telegrafi.
Nga ana e tyre, Flamur Laze, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Bujqësore dhe Edi Fero, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar theksuan se, rreziku është serioz, për shkak të përhapjes së këtij vitusi nga shpendët shtegtar. “Për shkak të stinës, jemi vend potencial i ardhjes së virusit nga vendet e prekura, sepse siç e dimë, kjo është periudhë e migrimit të shpendëve të egër drejt lagunave tona”, iu tha Fero Shoqatës së Pularive, sipas të cilit, “ju të gjithë e dini se sa shumë dëme shkakton ky virus”.
“Ajo çfarë është pozitive, është fakti që, ky virus nuk është i panjohur për ju, por është hera e dytë që vjen, ndryshe nga sëmundja e gjedhit (LSD) e cila u shfaq për herë të parë. Pra, ju të gjithë i dini masat që duhet të merrni, por në këtë situatë, duhet të dhjetëfishoni gatishmërinë e punën tuaj për parandalimin e saj dhe të përhapjes, pasi e godet fort sektorin tuaj. Kjo na godet edhe ne si ministri, por konsumatori shqiptar, me punën e të gjithë ne, nuk duhet të preket në asnjë mënyrë. Ndaj duhen shumëfishuar, në mënyrë urgjente, masat për biosigurinë”, theksoi Fero. Më pas, ai iu kërkoi indutrialistëve të shpendëve, që çdo drejtues teknik i kompanive të tyre duhet të jetë në gatishmëri dhe çdo makinë transporti, duhet të jenë të gjëndje të mirë, të kontrollohet kur hyn e del dhe të gjitha rregullat e transportit duhet të zbatojnë rregullat.
Nga ana e tyre, sipërmarrësit, duke garantuar angazhimin maksimal, kërkuan që në këtë situatë të monitorohen edhe shpendët e gjalla që vijnë nga importi, me qëllim parandalimin e ardhjes së virusit. Ndërsa Drejtori i Shërbimit Veterinar, Z.Fero theksoi se, si masë paraprake, siç dhe e kemi detyrim nga OIE, në bazë dhe të ligjit, ne kemi bllokuar importin e shpendëve të gjallë apo të therur, nga të gjitha vendet, të BE apo jashtë BE, ku është raportuar prania e virusit të gripit të shpendëve.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë