Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, zhvilloi një takim pune me Prof. Eberhard Haunhorst, drejtor i përgjithshëm për Sigurinë Ushqimore në Ministrinë Federale të Ushqimit dhe Bujqësisë së Gjermanisë.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin afatgjatë me Gjermaninë në sektorin e bujqësisë, me fokus të veçantë në kontributin e bashkëpunimit teknik gjerman (GIZ) në modernizimin e bujqësisë shqiptare dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
Të dy palët vlerësuan rezultatet e deritanishme të projekteve të përbashkëta, si programi “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural (SRD)”, që ka ndihmuar në forcimin e institucioneve bujqësore, rritjen e kapaciteteve të fermerëve dhe agropërpunuesve, si dhe përafrimin e politikave bujqësore me standardet e Bashkimit Europian.
Në vijim, bashkëpunimi pritet të zgjerohet përmes nismave të reja që do të mbështesin inovacionin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor, duke i hapur rrugë një zhvillimi më të qëndrueshëm rural në të gjithë vendin.
Ministri Salla theksoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke nënvizuar se Gjermania mbetet një mbështetje e qëndrueshme për modernizimin e bujqësisë shqiptare:
“Përmes bashkëpunimit me GIZ dhe institucione të tjera gjermane, po forcojmë bazat për një bujqësi moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përafrimit me standardet dhe praktikat më të mira europiane”, u shpreh ministri Salla.
Ky takim riafirmon angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Gjermanisë për të avancuar zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore, në funksion të një vizioni të përbashkët për një bujqësi inovative dhe me ndikim të qëndrueshëm ekonomik e social.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë