Firmoset memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe CIHEAM - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 15/04/2014

Firmoset memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe CIHEAM

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe CIHEAM, Qendra ndërkombetare e studimeve të avancuara agronomike mesdhetare nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, që krijon mundësi të reja për zhvillimin e bashkëpunimit teknik e shkencor në fushën e bujqësisë e peshkimit.

Marrëveshja u firmos nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti dhe sekretari i përgjithshëm i CIHEAM z. Cossimo Lacirignola.

Të pranishëm në firmosjen e kësaj marrëveshje ishin përfaqësues të kësaj qendre ndërkombëtare si dhe ambasadori Italian z. Gaiani. Marrëveshja në fjalë siguron gjithashtu bashkëpunim në kualifikimin pas universitar dhe trajnimin e vazhdueshëm të specialistëve të fushës së bujqësisë dhe sigurisë ushqimore si dhe në njohjen më të thellë dhe monitorimin e tregjeve të produkteve bujqësore të Mesdheut. Ky memorandum garanton gjithashtu angazhimin e CIHEAM në punën për harmonizimin e ligjeve dhe rregullave kombëtare me standardet e komunitetit Europian, si dhe përpjekjet për të kërkuar fonde për financimin e projekteve të nevojshme për vënien mbi baza solide dhe modernizimin e bujqësisë.

CIHEAM, Qendra ndërkombëtare e studimeve të avancuara agronomike mesdhetare është një organizatë ndërqeveritare  e përbërë nga 13 shtete anëtare ( Shqipëria, Algjeria, Egjypti, Franca, Greqia, Italia, Libani, Malta, Maroku, Portugalia, Spanja, Tunizia dhe Turqia) e  krijuar në vitin 1962. Shqipëria është anëtare që prej vitit 1992.

CIHEAM është në shërbim të shteteve anëtare për të promovuar  kooperimin multilateral mesdhetar në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale duke patur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shtetit dhe të aktorëve të agro-ushqimit.

 

CIHEAM e realizon këtë bashkëpunim duke ofruar trajnime të specializuara, rrjet specialistësh dhe kërkuesish, diplomaci shkencore dhe partneritet politik. Falë aktiviteteve të tij CIHEAM kontribuon në ndërtimin e një vizioni global struktural dhe  angazhues për zhvillimin e Mesdheut. Dhënia e zgjidhjeve konkrete, shkëmbimi i experiencës dhe promovimi i dijeve të vlefshme janë objektivat kryesore të secilit nga aktivitetet e tij.

CIHEAM ka rreth 170 specialistë të përhershëm dhe qindra  konsulente qe punojnë në 5 qendra  të kësaj organizate: 4 Instituti Mesdhetare  Agronomike  bazuar ne Bari ( Itali), Chania (Greqi), Montpellier (France) dhe Zaragoza (Spanje) dhe  Sekretariati i Përgjithshem i bazuar ne Itali të cilët janë njëkohësisht aktive në vendet mesdhetare për të zhvilluar aktivitete dhe projekte.