Ermira Gjeci
znj. Ermira Gjeçi është Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej Gusht 2024.
Ka përfunduar studimet pas universitare pranë Harvard Business School në vitin 2012,dhe Financë-Bankë pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Ekonomisë ne vitin 2007. Në të njëjtin fakultet ka përfunduar studimet për Ekonomi Industriale në vitin 1992 dhe mban titullin Master Shkencor ne Ekonomi.
Ka shërbyer si Zëvendës Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga 2017 deri në 2022, ku ajo kontribuoi në fushën e sigurisë ushqimore përmes iniciimit dhe mbështetjes së politikave që fokusohen në përmirësimin e standardeve të cilësisë së ushqimit dhe në rritjen e prodhimit të qëndrueshëm. Ermira ka kontribuar ne dimensionimin e reformës së sektorit veterinar, në përmirësimin e shërbimeve veterinare dhe sigurisë ushqimore. Ermira ka qenë drejtuese e reformës për formalizimin e tokës bujqësore, një proces kyç për formalizimin e pronës, përmirësimin e aksesit ne financim, rritjen e produktivitetit,zhvillimin rural. Kjo reformë ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e sektorit bujqësor dhe në rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike në vend.
Negociatore e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian si dhe bashkëkryetare e Nënkomitetit te Stabilizim-Asociimit. Përmes këtyre përpjekjeve, Ermira ka luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurrencën e sektorit bujqësor.
Gjatë mandatit të saj, Ermira përqendroi përpjekjet në zhvillimin e politikave, mbështetje për fermerët, edukimin e konsumatorëve, bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin e një sektori bujqësor më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Ka qenë e angazhuar për të siguruar që bujqësia të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komuniteteve.
Para se të merrte pozicionin aktual, Ermira ka punuar si koordinatore në Këshillin e Ministrave (2014-2017), pranë Departamentit të Jetësimit të Prioriteteve (Delivery Unit). Ajo ka kontribuar në mënyrë strategjike në monitorimin e performancës dhe koordinimin ndërmjet institucioneve për zbatimin e politikave qeveritare. Me një angazhim të fortë, ka adresuar sfidat duke siguruar që iniciativat e qeverisë të arrijnë objektivat e tyre dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët dhe ekonominë. Përpjekjet e saj kanë ndihmuar në rritjen e efikasitetit të OSHEE, duke reduktuar humbjet në rrjet dhe përmirësuar situatën financiare të kompanisë, si dhe shërbimet për konsumatorët. Kjo qasje e fokusuar në rezultate ka ndihmuar në ndërtimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për të gjithë.
Znj. Gjeçi ka pasur një karrierë të suksesshme në sektorin privat bankar, me një eksperiencë 17-vjeçare si drejtuese dhe anëtare e komiteteve drejtuese në banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Ajo ka treguar një aftësi të shkëlqyer në menaxhimin e burimeve financiare dhe zhvillimin e strategjive për rritjen e efikasitetit dhe konkurrencës në treg. Gjatë këtij periudhe, znj. Gjeçi ka kontribuar në përmirësimin e shërbimeve për klientët dhe ka ndihmuar në implementimin e politikave inovative që kanë forcuar stabilitetin dhe besueshmërinë e institucioneve bankare që ka udhëhequr. Kjo përvojë e gjerë e ka përgatitur atë për sfida të reja në fushën e financave dhe menaxhimit të riskut.
Znj. Gjeçi flet rrjedhshëm anglisht dhe greqisht, si dhe zotëron mirë gjuhën italiane.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë