Ekonomi në Shkodër, shpërndahet karta e parë e naftës falas - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 23/02/2021

Ekonomi në Shkodër, shpërndahet karta e parë e naftës falas

Ekonomi në Shkodër, shpërndahet karta e parë e naftës falas

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ishte sot në Shkodër ku ndoqi nga afër procesin e dhënies së kartës së naftës pa akcizë për fermerët përfitues të skemës së mbështetjes me naftë që ka nisur të zbatohet më 15 janar të këtij viti.

Ka nisur një prej proceseve më të rëndësishme të programit të qeverisë, dhënia e kartës për naftë pa akcizë, pa taksë qarkullimi dhe pa taksë karboni, që do të thotë për cdo fermë që kryhen procese te mekanizuara bujqësore në cdo 100 litra naftë të nevojshme, 54-56 litra i merr falas. Por duhet që cdo fermer të jetë i pajisur me NIPT dhe të lidhë aktivitetin e tij me një parcelë bujqësore. Sipas kësaj skeme e përfitojnë individët e shoqatat e bashkëpunimit bujqësor, që kryejnë aktivitet bujqësor dhe kanë në pronësi ose përdorim, tokë bujqësore mbi 0.4 hektarë dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektarë.

Fermeri i parë aplikues në portalin e-albania, për kartën e naftës, është Kujtim Lamthi nga Gruemira e Malësisë së Madhe. Kujtimi aplikoi mëngjesin e 15 janarit menjëherë pas thirrjes për tu bërë pjesë e procesit.

“Së pari të falenderoj zonja minister, për mua sot u vërtetua që skema e mbështetjes me naftë funksionoi. Unë kam marrë pjesë dhe në skema të tjera subvencionimi sic janë ai ibimëve medicinale. Shansi im është që ndoshta kam qenë i pari në të dyja aplikimet kjo falë dhe djalit tim që përdor teknologji por nuk do të thotë se unë apo të tjerë nuk dimë ta përdorim sistemin.
Me ato problematikat që mund të ketë në fillim se janë fazat fillestare, por që tregojnë se politikat bujqësore funksionojnë dhe janë në mbështetje të fermerëve dhe të zhvillimit të vendit. Unë besoj se ne nuk e kemi luksin ta lëmë tokën të papunuar, duhet punuar por dhe përgjegjësia e ministrisë dhe e politikave të shtetit është që ta ndihmojnë fermerin.
Kjo është një nga ndihmat e mëdha që po na jepet neve që të përdorim naftë pa akcizë apo pa taksa, edhe subvencionimi i shtetit që na është dhënë nga ministria e Bujqësisë janë një ndihmë e madhe.”-tha Z.Lamthi pas tërheqjes së kartës së tij.

Ndërkohë Ministrja Ekonomi me këtë rast u shpreh:

“Të falenderoj shumë Kujtim e para sepse ne të pagëzuam në njëfarë mënyre të vumë emrin pagëzuesi i skemës, sepse ju ishit i pari që aplikuat më 15 janar në ora 07:15 minuta e mëngjesit. Unë e kuptoj që është meritë dhe pak e brezit të ri, që njeh shumë mirë të rejat që po ndodhinnë teknologji.
Në fakt ju jeni bërë frymëzues dhe për të tjerët, sepse kanë aplikuar në portalin e-albania dhe të tjerë pa ndihmën e zyrave të AREB-eve, ndonëse në këto zyra vijnë vazhdimisht fermerë të kërkojnë ndihmë për aplikim për skemën e naftës.
Unë ju siguroj së pari që skemat mbështetëse kombëtare për bujqësinë po vazhdojnë. Në mes të marsit do të kemi dhe rihapjen e skemës kombëtare mbështetëse, e cila do të vazhdojë të mendojë njësoj si dje, në mënyrë që të ketë një zhvillim të qëndrueshëm sektori I bujqësisë për tre drejtime dhe kemi rënë dakord se duhet të jenë prioritare gjë që është shumë e rëndësishme.
E dyta që dua të theksoj është që ne gjatë këtyre 4 viteve kemi punuar fort për ujitjen dhe për kullimin. Ujitja e Kullimi janë sërish prioritetet e qeverisë. Kemi vënë nën ujë tokën e punueshme prej 255 mijë hektarë por nuk ka mbaruar si proces sepse toka që kemi për të punuar është më shumë.
Ndaj këtë vit janë planifikuar investime për të shkuar në ujitje dhe kullim që është e rëndësishme. Përgjegjësia e ujitjes dhe kullimit ndahet midis MBZHR dhe bashkive për të cilat duhet të kemi parasysh se ne kemi decentralizuar mirëmbajtjen por i kemi dhënë mundësi dhe për ti zhvilluar me programe të vecanta.
Ajo që unë dua të forcoj besimin është që MBZHR ka vazhdimisht një zë për nevojat tuaja dhe kjo bëhet dhe falë ndërhyrjeve që ka zyra e AREB. Sepse këtu ka zyra të Ekstensionit Rajonal ku ju duhet të bashkëpunoni fort për të adresuar problemet që vijnë nga kjo zone”.

Skema e mbështetjes me naftë do të ofrojë për fermerët e regjistruar me NIPT naftë falas, pa akcizë, pa taksë qarkullimi dhe karbon, sipas strukturës së mbjelles që kanë dhe mekanizimit që bëjnë në sipërfaqen e mbjellë me një kulturë të caktuar bujqësore.
Për vitin e parë, në total ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 950 milion Lekë.​