Ekonomi në Kolonjë: Qeveria, rritje të fondeve për skemat mbështetëse në bujqësi - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 27/05/2021

Ekonomi në Kolonjë: Qeveria, rritje të fondeve për skemat mbështetëse në bujqësi

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi një takim me fermerë të qytetit të Kolonjës që kultivojnë bimët medicinale.

Takimi ishte i organizuar nga bashkia e Kolonjës e mbështetur nga RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim-SDC , në kuadër të nismës për të promovuar Kolonjën si një destinacion për tërheqjen e investimeve në sektorin e Bimeve Medicinale dhe Aromatike (BMA), me praninë e Z. Erion Isai, Kryetar i Bashkise Kolonjë, Z. Filip Gjoka kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Eksportues antarë të shoqatës dhe Z. Stephan Joss, koordinator kombëtar i Helvetas në Shqipëri (HSI) dhe Drejtor i Projektit RisiAlbania.

Ministrja Ekonomi në fjalën e saj dha lajmin e mirë para fermerëve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal se Ministria e Bujqësië, në planin e saj buxhetor afatmesëm, ka parashikuar rritje të fondeve për skemat mbështetëse në bujqësi.

Sipas ministres së MBZHR-së, një prej sektorëve që do të gjejë hapësirë dhe mbështetje në programin e ri të IPARD është dhe ai i kultivimit të Bimëve Medicinale dhe Aromatike.

Ekonomi tha se me angazhimin dhe të kryeminstrit Rama në këtë drejtim, është planifikimi i shtimit të fondeve disa fish për skemat mbështetëse.

“Me kryeministrin kemi biseduar dhe rënë dakord që skema kombëtare në bujqësi të dyfishohet. Skema e naftës do të pesëfishohet dhe fondet e qeverisë për programin IPARD do të rriten.

Nga 140 milionë dollar që është ky program, 25 përqjnd vihet nga buxheti i shtetit dhe këtu ne kemi mundësi të shtojmë masën e subvencionit,.
Edhe për sektorin e bimëve medicinale ka vëmendje të posaçme dhe ne do ta mbështesim këtë sektor”, tha ministrja Ekonomi.

Ministrja Ekonomi theksoi se angazhimi i qeverisë është që eksportet në 4-vjeçarin e mandatit të tretë të rriten nga 450 milion dollar në 1 miliardë dollar.

Për këtë, tha ministrja Ekonomi, po punohet që të evidentohen përmes studimeve të ekspertëve, bashkitë tipike dhe sektorët që kanë potencial zhvillimi për arritjen e këtij synimi.
Ekonomi ftoi dhe pushtetin lokal që përmes projekteve të bëhen pjesë e programeve që promovojnë sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

Ekonomi tha se me rialokimin e fondeve, do të ketë mundësi për shtim të masës së përfitimit për skema të tjera mbështetëse.

Investimet në sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike gjenerojnë të ardhura më të mira dhe mundesi punesimi apo vet-punësimi për të rinjtë.
Gjatë 2020, ekipi pranë Bashkise dhe Shërbimi i ekstenisionit në Kolonjë janë asistuar nga ekspertët e BMA-ve, nëpërmjet organizatës Njerëz dhe Ide, mbi potencialin e kultivmit të BMA-ve dhe kanë evidentuar potencialin e madh që ka zona e Kolonjës në kultivimin organik.