Font Resize
 Denaj: Mbjelljet në serra pritet të rriten me 1 mijë hektarë, fruta perimet kryesojnë eksportet - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 11/07/2025

Denaj: Mbjelljet në serra pritet të rriten me 1 mijë hektarë, fruta perimet kryesojnë eksportet

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se bujqësia ka arritur një model suksesi falë investimeve të sipërmarrjes bujqësore në mbarë vendin, duke arritur në 572.4 milionë dollarë eksporte deri në fund të vitit 2024, ndërsa shifrat ishin rreth 100 milionë dollarë eksporte në vitin 2013.

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Denaj pohoi se investime janë kryer në 400 pika të përpunimit të produkteve agrobujqësore, si edhe ngritjen e shumë dhomave frigoriferike që ndihmojnë dhe cilësinë e produktit, ndërtimit të serave.

“Kemi qenë në 700 hektarë serra dhe jemi sot në 2164 hektarë serra. 122 agroturizma, ndërsa kemi filluar në 2016-ën me zero agroturizma. Dhe të gjitha këto kanë krijuar këtë sinergji si në raport me eksportet me një rritje gati pesëfish dhe të një oferte ushqimore e presioni në rritje të turistëve që vijnë që na ka detyruar që të kemi një ofertë ushqimore në vend që e kalon eksportin me 1.5 herë”, tha ajo.

Denaj tha se të gjithë duhet të jenë të fokusuar te produkti që prodhohet.

“Flitet shumë për statistikat në buqjësi, por duhet të fokusohemi tek ato produkte që bëjnë sens. Në statistikat e vitit 2024, frutat dhe perimet janë produktet që na nderojnë në eksport, ku pemët frutore janë rritur 3.1%, agrumet 4.3, ulliri me 26.3% rritje vjetore. Këto janë produkte që ne duhet t’i maksimalizojmë sepse tregu për këto produkte ka nevojë dhe në momentin që në 2030 ne futemi në BE, edhe tregu i ofertës vendase do të jetë me produkte eksporti”, pohoi Denaj.

Ministrja Denaj u shpreh se edhe bagëtitë e imta kanë një potencial zhvillimi, ndërsa janë 16 marka shqiptare që shiten në të gjitha agroturizmat vendase.

Denaj shtoi se synimi është që deri në vitin 2030, vëllimi i prodhimit të perimeve dhe mbjelljeve të tjera në serra të rritet me 1 mijë hektarë.

“Në pesë vite, kemi synimin që të bëjmë 1 mijë investime të reja në më tepër njësi agropërpunimi, grumbullimi dhe mekanika bujqësore, teksa do ketë inteligjencë artificiale për leximin e tokës. Duhet të zgjerojmë investimet në ujitje dhe kullim, po kemi krijuar një plan masash dhe mund ta dinamizojmë së bashku, bashkë me rritjen e financimit dhe formalizimin e ekonomisë, për të realizuar rritjen ekonomike”, vijoi ajo.

Sipas Denajt, bashkëpunimi me pushtetin vendor është i nevojshëm për ngritjen e grupeve të identifikimit dhe veprimit së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, si edhe për të potencializuar nevojat dhe kërkesat.

“Do pilotojmë në pesë bashki modelin e SHBB-ve (Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor), me paketën me grante, me kredi të butë dhe Garancinë Sovrane. Këto bashki janë Roskoveci, Belshi, Gjirokastra, Lezha dhe Puka”, tha Denaj.

Gjithashtu, ministrja Denaj tha se Qeveria Shqiptare ka miratuar javën e kaluar nëntë masa lehtësuese në mbështetje të çdo biznesi, ku “korsia” më e shpejtë është ajo e SHBB-ve dhe grupeve të bashkimit operator. Sipas Denajt, 50% e grantit do të jetë për cdo sipërfaqe mbjellje të reja, në pika grumbullimi, me stabilimente të mbarështrimit të kafshëve dhe shpendëve etj.

“Është një paketë shumë e zhdërvjellët, e gërshetuar me një kredi të butë dhe është paketa më e mirë financiare në ndihmë të këtij biznesi”, përfundoi Denaj.