Font Resize
 Denaj: Kapitujt e negociatave me BE-në, busulla jonë për reforma të thella në bujqësi - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 04/04/2025

Denaj: Kapitujt e negociatave me BE-në, busulla jonë për reforma të thella në bujqësi

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në takimin e përvitshëm me partnerët evropianë në Shtëpinë e Evropës në Tiranë.

Denaj u shpreh se, ky takim është një moment i rëndësishëm në angazhimin për rrugën që ka vendi ynë përpara.

Së bashku me kreun e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Andrea Ferrero, përfaqësues të delegacionit të BE, kreu i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim, Iven Schad dhe partnerë të tjerë u zhvillua një diskutim i hapur mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe hapat për ta forcuar më tej.

“Në një fazë kyçe të procesit të integrimit, ku Kapitujt 11, 12 dhe 13 janë kthyer në busullën tonë për reforma të thella në bujqësi, sigurinë ushqimore dhe peshkim, koordinimi me BE-në dhe donatorët mbetet thelbësor”, theksoi ministrja Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Denaj u shpreh se, ky partneritet synon harmonizimin me legjislacionin evropian, por edhe ndërtimin e një bujqësie moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese që i përgjigjet nevojave të fermerëve dhe standardeve të BE-së.