Font Resize
 Denaj: 250 milionë euro kredi të buta, ulet norma e interesit në 2% - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 11/03/2025

Denaj: 250 milionë euro kredi të buta, ulet norma e interesit në 2%

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur konsultimet për programin e ri mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro, do të mbështeten investimet në serra, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

Në një postim në rrjetet sociale Ministria e Bujqësisë informon se ministrja Anila Denaj ishte në Kurbin së bashku me zv.ministrin, Dhimo Kote, drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi dhe kryetaren e Shoqatës së Agroturizmave, Johana Bano, ku vijoi turin e takimeve për prezantimin e instrumenteve të financimit në bujqësi, Kredia e Butë dhe Garancia Sovrane.

Në takim u diskutua me përfaqësues të agroturizmeve dhe bankave të nivelit të dytë mbi këto mundësi financimi që lehtësojnë aksesin në financa dhe rrisin investimet në sektorët prioritarë, prodhim bujqësor e blegtoral, mekanizim e inovacion, agropërpunim dhe infrastrukturë agroturistike.

Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3,5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%, nënvizon Denaj.