Civici: Njësitë agroturistike janë alternativë mjaft e mirë për promovimin e produktit vendas - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 24/05/2024

Civici: Njësitë agroturistike janë alternativë mjaft e mirë për promovimin e produktit vendas

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, mori pjesë në eventin e organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve me tematikën “Zgjidh të vendit”, ku të pranishëm ishin Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe dhe Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e tij Civici tha se tashmë si pjesë e kulturës mikpritëse në çdo cep të Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes operatorëve turistikë, njësitë agroturistike janë një alternativë e pamohueshme dhe jashtëzakonisht shumë e rëndësishme e vendit tonë. Ata përçojnë traditën lokale, emocionin, bukurinë, eksperiencën dhe gjithë veçoritë që ka çdo zonë e çdo agroturizëm që i përfaqëson. Është sipërmarrja, e cila jo vetëm pret turistë dhe tregon gjithë identitetin tonë, por ushqen fermerët dhe ata prodhues, pa të cilët asnjë nga këto ushqime nuk do të ishte e mundur.

Duke iu referuar të dhenave zyrtare, Civici tha se aktualisht numërojmë, mbi 270 dhe synojmë të arrijmë deri në 1000 deri në vitin 2030. Kemi një proces për këto agroturistike, një proces certifikues, i cili i siguron ata vetë si operatorë që të punojnë me një cilësi shumë të lartë ku mbi të gjitha siguron vetë konsumatorët, qoftë shqiptar apo turistë për ushqimet që konsumojnë aty për sigurinë dhe cilësinë e tyre.

“Janë 22 ferma ose 22 familje ose dhe më shumë, të cilat përfitojnë drejtpërdrejt nga ekonomia që gjeneron ky agroturizëm. Ne nuk prodhojmë shqip vetëm në agroturizma, kemi mbi 200 hektarë serra, të cilat prodhojnë 317 mijë tonë mesatarisht në vit ushqime”- tha Civici, duke u ndalur te dy produkte si vera dhe vaji i ullirit.

Rritja e kërkesës për produktet “Made in Albania”, jo vetëm nga turistët e huaj, por tashmë dhe nga konsumatorët shqiptar ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit të këtyre prodhuesve, për të rritur këto standarde, për të rritur cilësinë, për të përmirësuar kushtet e ruajtjes së produktit dhe gjithë detajet se si ai arrin nga ferma deri në tavolinën tonë.