Përfundojnë punimet në hidrovorin e Orikumit, ministri Salla inspekton investimin: Përmirësohet mbrojtja nga përmbytjet për 460 hektarë tokë bujqësore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 01/11/2026

Përfundojnë punimet në hidrovorin e Orikumit, ministri Salla inspekton investimin: Përmirësohet mbrojtja nga përmbytjet për 460 hektarë tokë bujqësore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi hidrovorin e Orikumit në Vlorë, ku kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin dhe modernizimin e infrastrukturës kulluese, një investim që përmirëson mbrojtjen nga përmbytjet për rreth 460 hektarë tokë bujqësore në fushën e Orikumit.

Gjatë inspektimit, Ministri Salla u njoh nga afër me ndërhyrjet e realizuara për rikthimin e kapacitetit kullues të hidrovorit, i cili ishte reduktuar për shkak të amortizimit të pajisjeve dhe infrastrukturës ekzistuese.

Punimet përfshinë zëvendësimin e katër elektropompave të vjetra me pompa moderne zhytëse, rikonstruksionin e godinës dhe strukturave përkatëse, si dhe modernizimin e sistemeve elektrike, të komandimit dhe të mbrojtjes, duke mundësuar një funksionim më të sigurt dhe efikas.

Me përfundimin e investimit, hidrovori ka rikthyer kapacitetin kullues prej 3,7 m³/sekondë, duke përmirësuar funksionimin e sistemit të kullimit dhe mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet.

Ky investim kontribuon në forcimin e infrastrukturës kulluese dhe krijimin e kushteve më të sigurta për aktivitetin bujqësor në zonën e Orikumit.