Font Resize
 Njoftim për publikun - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 09/03/2025

Njoftim për publikun

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Laboratori i Referencës – ISUV, mbrëmjen e ditës së djeshme, për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar me 30 krerë shpendë, në fshatin Kullë, Njësia Administrative Sukth, ka marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.

Lidhur me rastin, informojmë se strukturat qëndrore dhe rajonale kanë vendosur fermën në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare dhe janë dërguar brenda ditës për analizim në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Pas konfirmimit, në MBZHR është thirrur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë menjëherë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 240, datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”

Prej ditës së sotme, njoftojmë fermerët, mbarështuesit e cilësdo lloj specieje shpendësh se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit Nr. datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:
– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
– Lejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë sipas tabelës 4, të shtojcës 5, të Urdhrit Nr. 177, datë 28.3.2023 “Për miratimin e Programit Kombëtar të Mbikëqyrjes së Influencës Aviare”, vetëm me autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj Sëmundjes së Influencës Aviare dhe të jenë shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

Shërbimi Veterinerar Rajonal po mbikqyr dhe monitoron nëpërmjet gjurmimit dhe kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV.
Gjithashtu, është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët dhe shpendërritësit në të gjithë vendin të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.
Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal, mos-manipulimi me shpendët e dyshuar, si dhe për efekt kohe kontakti me AKVMB në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: info@akvmb.gov.al.