Ministri Salla takohet me të rinjtë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Ministrinë e Bujqësisë - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 07/10/2025

Ministri Salla takohet me të rinjtë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Ministrinë e Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim me 62 të rinjtë që kanë nisur praktikën 3-mujore në Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë, si pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Gjatë bashkëbisedimit, Ministri Salla i inkurajoi praktikantët të japin maksimumin e mundësive për të fituar përvojë praktike dhe për të shfrytëzuar këtë eksperiencë si një urë lidhëse me tregun e punës.

Ai theksoi rëndësinë e kësaj periudhe pune, e cila njihet nga Drejtoria e Administratës Publike (DAP), dhe që ndihmon në lehtësimin e kalimit nga universiteti drejt punësimit.

Vetëm gjatë viteve të fundit, 356 të rinj kanë zhvilluar praktikën në sektorin e bujqësisë, ku 95 prej tyre janë punësuar me kontratë njëvjeçare, duke përmbushur nevojat e institucioneve pritëse.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve dhe ofrimin e mundësive reale për zhvillim profesional në sektorin e bujqësisë.