Ministri Salla prezanton në Kuvend pesë projektligje për modernizimin e sektorit dhe përafrimin me standardet e BE-së - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 16/07/2026

Ministri Salla prezanton në Kuvend pesë projektligje për modernizimin e sektorit dhe përafrimin me standardet e BE-së

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Kuvend pesë projektligje që synojnë modernizimin e kuadrit ligjor të sektorit, lehtësimin e aksesit në financim për fermerët, përmirësimin e politikëbërjes përmes të dhënave statistikore, nxitjen e teknologjive inovative në bujqësi dhe forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” krijon për herë të parë një instrument financiar që u mundëson fermerëve të përdorin produktin bujqësor, qoftë në proces prodhimi apo të magazinuar, si kolateral për financim. Mekanizmi synon të formalizojë marrëdhëniet ndërmjet fermerëve, operatorëve ekonomikë dhe institucioneve financiare, duke rritur sigurinë juridike dhe aksesin në financim gjatë gjithë ciklit të prodhimit. Dëftesat tregtare do të regjistrohen në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese, për të garantuar transparencë dhe për të shmangur përdorimin e shumëfishtë të të njëjtit kolateral. Sipas ministrit Salla nisma pritet të forcojë investimet në bujqësi, të rrisë bashkëpunimin përgjatë zinxhirit agro-ushqimor dhe të afrojë sektorin me praktikat financiare të vendeve të Bashkimit Evropian.

Një tjetër projektligj krijon bazën ligjore për zhvillimin e Censit të Bujqësisë sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe rekomandimeve të Eurostat-it. Censi do të mbulojë të gjitha njësitë ekonomike bujqësore, duke siguruar mbulim të paktën të 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore dhe të njësive blegtorale. Të dhënat e mbledhura do të shërbejnë për hartimin e politikave sektoriale, planifikimin e investimeve publike dhe përgatitjen e Shqipërisë për zbatimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së. Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Regjistrit Statistikor të Njësive Ekonomike Bujqësore, i administruar nga INSTAT vetëm për qëllime statistikore, pa krijuar detyrime të reja për fermerët. Financimi i procesit do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe sipas rastit edhe nga fondet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” synojnë përshtatjen e kuadrit ligjor me zhvillimet e bujqësisë moderne, duke njohur dhe rregulluar përdorimin e teknologjive inovative si hidroponia, aeroponia dhe akuaponia. Ministri Salla theksoi se projektligji nuk ndryshon parimin e mbrojtjes së tokës bujqësore, por krijon kushtet për zhvillimin e këtyre teknologjive me rregulla të qarta, duke nxitur investimet, rritjen e produktivitetit dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore. Kushtet teknike, procedurat e monitorimit dhe kontrollit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në Kuvend u paraqit edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Teknik 2025, që krijon bazën ligjore për zbatimin e projektit EU4Food Safety. Projekti synon modernizimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në kuadër të përmbushjes së standardeve të Bashkimit Evropian dhe kritereve të Kapitullit 12 të negociatave. Mbështetja financiare arrin në 13.5 milionë euro për periudhën 2026-2030, ku 1 milion euro sigurohet nga Qeveria Gjermane dhe 12.5 milionë euro financohen nga Bashkimi Evropian. Projekti parashikon modernizimin e kontrolleve zyrtare, forcimin e kapaciteteve laboratorike, harmonizimin e legjislacionit dhe mbështetjen e operatorëve të biznesit ushqimor për përmbushjen e standardeve evropiane, me synimin për të rritur sigurinë ushqimore, konkurrueshmërinë e sektorit agro-ushqimor dhe mundësitë për eksport.