Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, vizituan fabrikën e përpunimit të qumështit “VITA 2001” në Pogradec, ku u prezantuan mundësitë që ofron Programi Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” për bizneset që synojnë të investojnë, të modernizojnë teknologjinë dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tyre.
Gjatë vizitës, Ministri Salla theksoi se programi krijon mundësi konkrete për sipërmarrjet e sektorit agro-përpunues dhe agroturizmit, duke u ofruar kredi me kushte lehtësuese deri në 2 milionë euro, si dhe asistencë teknike për përgatitjen e projekteve të investimit.
Ministri u ndal te rëndësia e përgatitjes së bizneseve për standardet e Bashkimit Europian, duke theksuar se procesi i kategorizimit të operatorëve ushqimorë synon të identifikojë nevojat për investim dhe të krijojë mundësi mbështetjeje për modernizimin e tyre.
“Po realizojmë procesin e kategorizimit të operatorëve, në mënyrë që bizneset të identifikojnë investimet që u nevojiten për të përmbushur standardet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian. Nuk është një proces penalizues, por një mundësi për t’u përgatitur që sot, përmes mbështetjes financiare dhe instrumenteve si programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’,” u shpreh Ministri Salla.
Ai theksoi se Shqipëria tashmë disponon kapacitete moderne laboratorike për kontrollin e sigurisë ushqimore, ndërsa investimet në teknologji dhe standarde janë thelbësore për të garantuar cilësinë e produkteve shqiptare.
“Na duhet një nivel edhe më i lartë sigurie ushqimore, si për konsumatorin shqiptar, ashtu edhe për tregjet ku synojmë të eksportojmë. Për këtë arsye po mbështesim bizneset që të investojnë sot, në mënyrë që nesër të jenë plotësisht të përgatitura për tregun europian,” deklaroi ai.
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të lehtësojë aksesin në financim për sipërmarrjet shqiptare përmes kredive me interesa të subvencionuara dhe Garancisë Sovrane, duke mbështetur investimet në teknologji, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, certifikimet dhe modernizimin e proceseve të punës.
Në kuadër të kësaj nisme, sipërmarrësit përfitojnë jo vetëm financim, por edhe asistencë profesionale për hartimin e planeve të biznesit dhe realizimin e investimeve, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë