Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit në kuadër të Projektit TOKA, me bashkitë Devoll, Ersekë, Maliq, Pogradec dhe Korçë, si dhe me Universitetin e Korçës, duke hapur rrugën për zbatimin e një modeli të ri bashkëpunimi për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.

Projekti TOKA financohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Universitetin Hollandez të Kërkimeve Wageningen, dhe do të pilotohet në Rajonin e Korçës mbi bazën e Modelit të Diamantit Holandez.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministri Salla theksoi se ky projekt përfaqëson një qasje të re në zhvillimin bujqësor. “Projekti TOKA krijon një model bashkëpunimi që lidh institucionet, dijen shkencore, inovacionin dhe fermerët, për të ndërtuar një bujqësi moderne dhe konkurruese,” u shpreh ai.
Sipas Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, projekti synon hartimin e një rruge zhvillimi për eko-bujqësinë, ndërtimin e Sistemit të Njohurive dhe Informacionit në Bujqësi, forcimin e sigurisë ushqimore, si dhe rritjen e kapaciteteve në arsim dhe kërkim shkencor. “Ky bashkëpunim është një hap konkret drejt një sektori bujqësor të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian,” theksoi Ministri Salla.
Të pranishëm gjatë eventit ishin edhe Kryetari i Kuvendit dhe njëherazi drejtuesi politik i qarkut Korçë Niko Peleshi, Kryetarët Sotiraq Filo, Eduard Duro, Gëzim Topçiu, Erion Isai, Ilir Xhakolli, Rektori i Universitetit të Korçës, si dhe përfaqësues nga AADF.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë