Ministri Salla: Marrëveshje e re me UBT, më shumë mundësi për studentët dhe ekspertizë shkencore në mbështetje të bujqësisë - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 24/09/2026

Ministri Salla: Marrëveshje e re me UBT, më shumë mundësi për studentët dhe ekspertizë shkencore në mbështetje të bujqësisë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Sallaku, nënshkruan sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe UBT-së, me fokus afrimin e studentëve me tregun e punës dhe përfshirjen më të gjerë të ekspertizës akademike në zhvillimin e sektorit bujqësor.

“Të investosh te të rinjtë dhe te dija do të thotë të investosh drejtpërdrejt në të ardhmen e bujqësisë shqiptare”, u shpreh Ministri Salla.

Marrëveshja forcon lidhjen mes universitetit dhe tregut të punës përmes praktikave profesionale, orientimit të studentëve dhe informimit të tyre për vendet vakante në Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë. Studentët do të kenë mundësi të aplikojnë sipas profileve të tyre, mbi bazën e meritës dhe konkurrimit të hapur.

“Kjo marrëveshje forcon lidhjen mes universitetit dhe tregut të punës, përmes praktikave profesionale, orientimit të studentëve dhe informimit të tyre për vendet vakante në Ministri dhe institucionet e varësisë”, theksoi Salla.

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në nivel akademik dhe shkencor, ku UBT do të ofrojë ekspertizën e profesorëve dhe kërkuesve në fusha si bujqësia, veterinaria, siguria ushqimore, ekonomia bujqësore, bioteknologjia, akuakultura dhe administrimi i ujit dhe tokës.

“Po ndërtojmë një marrëdhënie ku studentët fitojnë eksperiencë dhe mundësi, Universiteti sjell dijen dhe ekspertizën, ndërsa Ministria krijon urën që i lidh ato me nevojat reale të sektorit”, përfundoi Ministri Salla.