Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, rreth rregullave për regjistrimin, e produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se në Republikën e Shqipërisë regjistrohen vetëm PMB-të, të cilat janë të regjistruara në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Legjislacioni në fushën e PMB-ve parashikon një periudhë tranzitore për përdorimin e PMB-ve që çregjistrohen, sipas rasteve të parashikuara në VKM nr. 335, datë 6.6.2018, të ndryshuar. Ky legjislacion përcakton edhe afatet e përdorimit të tyre, që janë në përputhje me legjislacionin e BE-së, të cilit i është përafruar legjislacioni shqiptar dhe përditësohet vazhdimisht, në varësi të vendimeve të Komisionit Evropian për lëndët vepruese.
Bëjmë me dije se, MBZHR përgatit listën e PMB-ve të regjistruara sa herë që pëson ndryshime dhe e publikon në faqen zyrtare të ministrisë në linkun: https://bujqesia.gov.al/lista-e-pmb-ve-te-regjistruara/, për t’u bërë të aksesueshme si nga palët e interesuara (fermerët, grupet e interesit përfshirë dhe mediat, etj) ashtu dhe nga strukturat ligjzbatuese.
Kjo listë përbëhet nga:
– lista 1 që përmban PMB të regjistruara për t’u importuar dhe tregtuar në Republikën e Shqipërisë;
– lista 2 që përmban të gjitha PMB-të që nuk lejohen të importohen por vetëm të tregtohen dhe përdoren në vendin tonë.
Sqarojmë se lista 2 e PMB-ve, që lejohen të tregtohen dhe të përdoren, por jo të importohen, bazohet në VKM e sipërcituar në rastet kur:
a) PMB-ja përmban lëndë vepruese, të cilat janë hequr me urdhër të ministrit, për çdo rast;
b) Aplikanti e kërkon, me shkrim, një gjë të tillë;
c) Ka përfunduar afati i regjistrimit të saj dhe nuk është bërë kërkesë nga aplikanti për përditësim ose riregjistrim;
Anex
Lista 2 përmban PMB, të cilat u referohen këtyre tre përcaktimeve.
Nëse PMB-të e kësaj liste janë ende në treg, ato përdoren brenda afateve të skadencës, në rastet e përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”; dhe brenda afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit për lëndët vepruese në përmbajtje të PMB-ve në rastet e përcaktuara në shkronjat “a”.
Amendimi i VKM nr. 335, datë 6.6.2018 me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 562, datë 29.9.2021, ka mundësuar përafrimin e plotë të vendimeve të BE-së, për lëndët vepruese në përmbajtje të PMB-ve, i cili zbatohet për çdo PMB që çregjistrohet dhe hiqet nga tregu.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë