AKU zbërthen skemën e shitjes së margarinës për gjalp Ministri Çuçi: Me ndryshimet në Kodin Penal i japim fund mashtrimit ushqimor - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 03/06/2019

AKU zbërthen skemën e shitjes së margarinës për gjalp Ministri Çuçi: Me ndryshimet në Kodin Penal i japim fund mashtrimit ushqimor

 

AKU zbërthen skemën e shitjes së margarinës për gjalp Ministri Çuçi: Me ndryshimet në Kodin Penal i japim fund mashtrimit ushqimor

Sot në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua një takim me operatorë të ndryshëm të biznesit ushqimor ne vend në kuadër të konsultimeve për ndryshimet në Kodin Penal që lidhen direkt me sigurinë Ushqimore. Ministri z.Bledi Çuçi dhe drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit z.Agron Hetoja prezantuan ndër të tjera edhe një skemë të pastër të mashtrimit ushqimor.

Operatorët importojnë margarinë, por e paketojnë dhe e shesin në treg si gjalp.

 

Përmes një videoje të shkurtër ilustrohet e gjithë skema, e cila u zbulua nga vetëm pesë inspektime të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Produkti me yndyrë bimore pasi importohet nga Ukraina, me mangësi në dokumentacionin shoqërues, zhdoganohet si margarinë dhe më pas shpërndahet në operatorë të tjerë të zinxhirit ushqimor. Importuesi e faturon margarinën si gjalp. Marketet as që nuk e kontrollojnë fare vlefshmërinë e dokumentacionit shoqërues të produktit dhe e shesin duke e keq-etiketuar si gjalp.

Ministri Çuçi tha gjatë fjalës së tij se është i vendosur për të mos lejuar asnjë operator që abuzon me ushqimet në treg dhe vë në rrezik shëndetin e konsumatorëve. Ai kërkoi përfshirje në këtë betejë të të gjithë aktorëve për ta luftuar fenomenin në tërësi. Z. Çuçi përmendi gjithashtu ristrukturimin që do t’i bëhet Autoritetit Kombëtar të Ushqimin, ligjin e ri për shërbimin veterinar dhe ndryshimet në Kodin Penal.

‘Nuk do të tolerojmë asnjë abuzues që tenton të mashtrojë konsumatorin shqiptar për qëllime fitimi. Kodi Penal do të miratohet shumë shpejt. Do të ndëshkojmë cdo abuzues që bëhet pjesë e një skeme të tillë si kjo e margarinës me gjalpin. Të gjithë inspektorët që merren me sigurinë ushqimore, nëse bëhen pjesë e këtyre skemave, jo vetëm që do të ikin nga puna, por do të shkojnë edhe në burg. Operatorët e biznesit i ftoj të bëhen pjesë e kësaj beteje sepse është në interes të tyre. Ftoj qytetarët të denoncojnë pa frikë cdo rast që ata konstatojnë se është cënuar siguria ushqimore’, tha Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.