Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi agroturizmin “Lahuta e Vjetër” në Kurbin, një sipërmarrje që ka zgjeruar aktivitetin falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare, duke e cilësuar atë një shembull të qartë se si investimet publike po nxisin zhvillimin e sipërmarrjeve rurale dhe krijimin e vlerës së shtuar në sektorin agro-ushqimor.
Gjatë vizitës, Ministri Salla theksoi se falë financimit të përfituar për ndërtimin e bujtinës dhe zgjerimit të aktivitetit me një stallë blegtorale përmes Kredisë së Butë me Garanci Sovrane, sipërmarrja ka rritur kapacitetet pritëse dhe prodhuese, ka krijuar vende të reja pune dhe ka forcuar bashkëpunimin me fermerët e zonës, duke ofruar produkte cilësore Made in Albania.
Në këtë kuadër, Salla ftoi fermerët dhe sipërmarrësit të bëhen pjesë e Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili synon të lehtësojë aksesin në financim dhe të mbështesë investimet në sektorin bujqësor.
“‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ është një mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrësit që të investojnë, të zgjerojnë aktivitetin, të përpunojnë më shumë dhe të krijojnë më shumë vlerë të shtuar përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Objektivi ynë është të kemi më shumë sipërmarrje të suksesshme që prodhojnë, përpunojnë dhe promovojnë produktet shqiptare me standardet më të larta,” përfundoi Ministri Salla.
Ai nënvizoi se qeveria do të vijojë të mbështesë investimet që lidhin bujqësinë me agropërpunimin dhe agroturizmin, duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi për ekonominë rurale dhe duke rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë